E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si u zbulua pas 12 vjetësh përfshirja në ekzekutimin e ish-efektivit, roli i 40-vjeçarit në atentatin ndaj Roland Rexhepit
Lajme

Si u zbulua pas 12 vjetësh përfshirja në ekzekutimin e ish-efektivit, roli i 40-vjeçarit në atentatin ndaj Roland Rexhepit

Elbasan – Florind Shabani, i ekstraduar nga Gjermania dy ditë më parë, pritet të dalë gjatë ditës së sotme para Gjykatës së Elbasanit për t’u njohur me masën e sigurisë. Shabani u ekstradua drejt vendit tonë pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar si një nga personat e përfshirë në vrasjen e Roland Rexhepit, ngjarje e ndodhur më shumë se një dekadë më parë. Roli i tij në vrasjen e Rexhepit është ai i vëzhguesit ditën e ngjarjes së rëndë të 29 korrikut të vitit 2009.

“Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Gjermani, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore gjermane.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në shtator të vitit 2021, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Armëmbajtja pa leje’. Shtetasi F. Sh., në datën 22.07.2009, në lagjen ‘Vullnetari’, Elbasan, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin Roland Rexhepi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Pas ekstradimit, Shabanit do t’i ofrohet statusi i bashkëpunëtorit me qëllim që të zbardhet se kush qëndron pas atentatit ndaj ishefektivit. Për atentatin ndaj Rexhepit janë akuzuar shtetasit Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, të dënuar me 24 dhe 23 vite burg. Ditën e krimit, sipas dosjes hetimore, Shabani ka parkuar një furgon pranë shtëpisë së Roland Rexhepit, në të cilin ishte hapur një vrimë me trapan, nga e cila është vëzhguar viktima. Vrasja e Rexhepit, ose siç thirrej në Elbasan me nofkën “Doda”, është kryer për llogari të një grupi kriminal në Elbasan.

ZBULIMI I VRASJES

Atentati mafioz ndaj ishoficerit të Policisë Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia e Shtetit e konsideronte në atë kohë vrasjen e ishefektivit një atentat të mirorganizuar dhe të planifikuar. Duke qenë se autorët ishin të maskuar, çka identifikimi i tyre ishte i vështirë, ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë vetëm provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë. Krahasimi i tyre ka bërë të mundur zbardhjen e autorëve të vrasjes, pavarësisht se dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Shabanit kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij, pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani. Nga përputhja e profilit gjenetik të gjetur në një bisht cigareje në vendin e krimit në vitin 2009, Prokuroria ka shpallur në kërkim Florenc Shabanin, duke e akuzuar si bashkëpunëtor në vrasje.

VRASJA E ILIR REXHEPIT

Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit. Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë. Edhe kjo vrasje mbeti enigmë për vite të tëra, derisa në qershor të këtij viti autoritetet shpallën në kërkim shtetasin Mihal alias Mirgen Toshi, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Toshi është i dyshuari kryesor për krimin e ndodhur, ndërsa mbetet ende mister kush e porositi vrasjen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.