E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dha Leje minerare për Zoton, Gjiknuri: Bëni kallzim në SPAK po deshët!
Lajme

Dha Leje minerare për Zoton, Gjiknuri: Bëni kallzim në SPAK po deshët!

Partia Demokratike publikoi dje të tjera prova, që sipas tyre, vërtetojnë lidhjet e ish-ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri, me pronarët e tre inceneratorëve, Klodian Zoto, Stela Gugallia dhe Mirel Mërtirit.

Kryetarja e Komisionit Hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku, publikoi dokumente ku Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallia, ka përfituar leje minerare edhe në emrin e “Albtek Energy”, kompanisë që ndërtoi inceneratorin e Tiranës me koncesion. Kompania CGC që ka fituar lejen minerare sipas opozitës është pa eksperiencë në fushën e mineraleve pasi ishte krijuar në 2013 dhe në 2014 kishte fituar licencën.

“Është rastësi udhëtimi me këta persona, por çfarë rastësie është të japësh leje mineral CGC për pronarët e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit. Kam këtu një leje tjetër për ‘Albtek Energy’, dhënë po nga ju kur ishit ministër. Sa rastësi ka për këtë energji. Është një akt miratimi sa i përket përdorimit për objektin bradashesh Elbasan. Ju e relativizuat çështjen e Fierit, thatë se kishte pak probleme. Por ato pak probleme kanë shkaktuar 21 milionë euro paradhënie. Ju si autoritet kontraktues, a e keni verifikuar listën e nënkontraktorëve? Ata kanë paguar vetveten?

Kompaninë e auditimit e kishte Stela Gugallia. Paratë e shqiptarëve kanë shkuar në parajsa fiskale. Çfarë përgjegjësie mbani ju? U janë dhënë të drejta ekskluzive kompanive me njohje me ministrat”, tha Tabaku në fjalën e saj. Ky fakt u pranua edhe nga ish-ministri Gjiknuri, i cili në vazhdim sfidoi opozitën që të çojnë kallëzim penal nëse ka dhënë. “Lejet minerare në republikën e Shqipërisë jepen me garë. Nuk janë një e drejtë që vijnë te ministri. Nëse kjo leje do kishte problem, le të hetohet, nëse keni dijeni që është shkelur gara, bëni kallëzim penal. Një grusht biznesmenësh ka në Shqipëri. Licencat jepen me garë. Sa u përket udhëtimeve, Bardhi le të vazhdojë”, tha ish-ministri Gjiknuri.

UDHËTIMET

Në mbështetje të akuzave se koncesionet e inceneratorëve janë marrë nga persona afër qeverisë, PD publikoi informacione të marra nga sistemi TIMS, ku vërehej se si në rastet e udhëtimeve në rrugë rrugore dhe ajrore ka pasur raste të fluturimeve të përbashkëta me diferencë minutash. “Nga 27 janari 2012 deri më 23 korrik 2019, Damian Gjiknuri ka udhëtuar 6 herë me dy pronarët e kompanive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë sot në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv, pastrim të produkteve të veprës penale, të kryera në bashkëpunim për aferën korruptive të inceneratorëve. Ndërsa, miqtë e tyre politikanë, të veshur njëri me kostumin e zëvendëskryeministrit dhe tjetri me atë të sekretarit të përgjithshëm të PS-së, vazhdojnë vjedhjet të pashqetësuar”, reagoi këshilltari ligjor i PD-së, Marash Logu.

VKM PËR SHFRYTËZIMIN E INCENERATORIT

Debate pati edhe me ishministrin Gjiknuri për VKM-në që i jep të drejtë “Albtek-Energy” për shfrytëzimin e impiantit që prodhon energji për 25 vjet. Dyshimet e deputetit Helidon Bushati për një koncesion të dytë ndaj kompanisë “Albtek Energy” në Elbasan dhe se kjo VKM u jep pronarëve që janë në kërkim mundësinë për ta paditur Shqipërinë në gjykata ndërkombëtare, Gjiknuri i cilësoi idiotësira. “Nuk mendoja që absurditeti do kishte vajtur në këtë pikë.

Nga buron detyrimi. Në ligjin për sektorin e energjisë elektrike dhe për vendimin e qeverisë, thotë se Këshilli i Ministrave autorizon impiantet mbi 2 mega, ndaj ka nxjerr këtë miratim me 25 vite me të drejtën e prodhimit të energjisë elektrike si impiant energjetik. Nga buron ky detyrim? Në autorizimin që ju përmendni, keni bazën ligjore. Keni akuzuar se ky është koncesion i ri. Por ju duhet të lexoni ligjin. Çdo objekt gjenerues që nuk është objekt koncesioni, kanë detyrimin ligjor të autorizohen. Sepse sistemi energjetik është një i tërë. Çdo objekt gjenerimi duhet të plotësojë disa parametra që nuk shkaktojnë kosto. Për këtë arsye, përveç objekteve të karakterit publik që i inicion një subjekt privat, për disa prej këtyre kërkohet miratim. Ky vendim rregullon çdolloj objekti. Kjo është baza ligjore, mbi të cilën është lëshuar”, tha Damian Gjiknuri.

Në vijim ish-ministri pretendoi se shoqëria aksionere “Albtek ENergy” është themeluar vetëm për ndërtimin e inceneratorit dhe se kuotat e saj i kalojnë shtetit. “Në 6 muajt e fundit, koncesionari bën dorëzimin e impiantit. Koncesionari pas plotësimit të kushteve transferon tek autoriteti të gjitha asetet. Të gjitha të drejtat e kontratës përfshirë edhe të drejtat e shfrytëzimit. Dikush tha se 25 vite i është dhënë Albtekut. Por kjo është e krijuar vetëm për këtë proces.

Shoqëria e krijuar në mënyrë të veçantë për këtë aksion. Kontrata thotë se të gjitha kuotat i kalojnë shtetit”, tha Gjiknuri. Por ndërkohë, PD publikoi dokumentin ku “ALBtek Energy” kishte marrë edhe një leje minerare. Çka nënkupton se kompania operon dhe nuk është krijuar vetëm për ndërtimin e inceneratorit. Kjo shton edhe më shumë dyshimet për interpretimin e ligjit për lejen e shfrytëzimit të inceneratorit të Elbasanit për 25 vjet ku PD pretendon se kemi të bëjmë me një koncesion të dytë, ndërsa maxhoranca thotë se bëhet fjalë për një licencë për prodhim energjie që do bëhet nga bashkitë kur të marrin në dorëzim inceneratorin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.