I vunë tritol pallatit, Morën makinë me qera në Rinas, por i tradhtoi GPS-i
Në dosjen hetimore të kësaj ngjarjeje të ndodhur në muajin nëntor të vitit 2020, ku janë vënë nën akuzë dy të rinj nga FushëKruja, Erald Pajtani dhe Angli Srafuka. Nga përmbajtja e materialit hetimor, ka rezultuar se (referuar procesverbalit për këqyrjen e kamerave filmike) në afërsi të vendit të ngjarjes, ditën e ngjarjes, afrohet një automjet i markës AUDI, model Q7, i cili, pasi ka qëndruar aty për disa çaste deri në momentin e shpërthimit, është larguar. Nga veprimet e kryera rezulton që automjeti i markës “Audi”, model “Q7”, me targa “AA377SM”, është në pronësi të një shoqërie tregtare, e cila kryen aktivitetet në fushën e dhënies së automjeteve me qira. Por rezulton se ditën e ngjarjes, automjeti është marrë me qira me afat 24 orë, nga shtetasi Erald Pajtani, aktualisht prapa hekurave nën masën e sigurisë “Arrest në burg”.
VËZHGIMI I GPS-IT
Në vijim të veprimeve hetimore është proceduar me këqyrjen dhe marrjen e të dhënave kompjuterike dhe konkretisht të sistemit GPS, të montuar në autoveturën e sipërpërmendur dhe rezulton se automjeti ditën e ngjarjes, është nisur nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Lezhës, duke shkuar në vendin e ngjarjes. Në kthim rezulton se automjetit të markës “Audi”, tip “Q7”, i janë hequr targat, duke lëvizur përgjatë gjithë itinerarit të kthimit pa targat identifikuese. Gjithashtu, rezulton se shtetasi Erlad Pajtani, krahas automjetit të markës “Audi”, model “Q7”, ka marrë me qira edhe një automjet tjetër të markës “Mercedes”, me targa “AA575ZG”, kontratë e lidhur me subjektin “Rent a Car Airport”, me afat nga data 17 deri në datën 20 nëntor. Nga këqyrja dhe marrja e të dhënave të GPS, të montuar në këtë autoveturë, rezulton se ky automjet ka përshkuar itinerarin nga aeroporti i Tiranës, në drejtim të Lezhësnë afërsi të vendit të ngjarjes dhe, menjëherë pas shpërthimit të eksplozivit, është larguar nga vendi së bashku me mjetin “Audi Q7”, duke përshkuar të njëjtin destinacion në kthim.
DËSHMITË
Krahas veprimeve të mësipërme, është proceduar me pyetjen e shtetasit Erald Pajtani, i cili ka sqaruar se ditën e ngjarjes ka pasur nën posedimin e tij automjetin e markës “Mercedes Benz”, model CLS, të cilin e ka marrë me qira. Po atë ditë, ka kontaktuar me shtetasin Angli Stafuka dhe, nën e shoqërinë e tij, ka shkuar në vendin e marrjes së automjeteve me qira, duke kontraktuar një tjetër mjet, atë të markës AUDI, model “Q7”. Ai sqaron gjithashtu, se mjetin e ka marrë pasi mjeti tip “Mercedes Benz” nuk punonte normalisht. Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet dhe dosja është dërguar për gjykim me të pandehur dy të rinjtë nga FushëKruja, Erald Pajtani dhe Angli Stafuka, ndaj të cilëve janë ngritur akuzat “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” e kryer në bashkëpunim. Objekti në ndërtim në pronësi të biznesmenit Liman Gjoka u sulmua dy herë me lëndë plasëse, konkretisht në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2020, ndërsa për shpërthimin e dytë ende nuk është arritur të zbardhet. Shkak i këtyre ngjarjeve dyshohet të jenë bërë konfliktet e pronësisë në lidhje me truallin ku po ndërtohej objekti disakatësh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



