Zgjedhjet në FSHF, Armand Duka tërhiqet nga Asambleja e 2 marsit
Gjykata Penale vendos t’i bëjë barrierë ligjore Federatës së Futbollit vetëm 3 ditë para zgjedhjeve të 2 marsit, barrierë që e detyroi Presidentin Armando Duka të tërhiqet nga vendosmëria e tij.
Vendimi që pezullonte nga detyra aktuale Dukën bashkë me 3 zyrtarë të tjerë të FSHF-së, si persona nën hetim, bëri që mbrëmë kreu i Federatës të njoftojë do të propozojë dhe do t’i kërkojë Asamblesë që pikën e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF-së për president dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër! Lajmërimin ai e bëri me anë të një mesazhi publik, duke treguar edhe arsyen se përse kishte lindur domosdoshmërish edhe nevoja e kësaj shtyrjeje. Në fakt, vendimi i marrë të dielën dhe i zbardhur dje, e detyron dhe e “kërcënon” Dukën që në rast moszbatimi mund të rrezikojë dënimin me burg deri në 7 vjet, duke i listuar edhe bazën ligjore në të cilën mund të ndërmerret ky vendim!
SEANCA E SË DIELËS
Gjykata është mbledhur ditën e diel në një dhomë këshillimi dhe ka dalë me një vendim prej 21 faqesh në të cilin vendos pezullimin nga detyra të katër zyrtarëve në FSHF. Duke iu faturuar dy vepra penale, në bazë të rrethanave të çështjes që ka parashtruar Prokuroria e Tiranës, Gjykata ka vendosur masën shtrënguese për Armando Dukën, Koço Kokëdhimën, Ilir Shulkun dhe Ardian Haçin. Tre të parët janë akuzuar për “Shpërdorim detyre”, ndërsa Ardian Haçi për “Falsifikim të dokumenteve”. Prokuroria e ka bindur gjykatën se ekzistojnë prova të mjaftueshme për të marrë masën e pezullimin nga detyra të katër zyrtarëve deri në shqyrtimin e plotë të të gjitha fakteve që ata kanë. Ky vendim është i katërti brenda një harku kohor prej një muaji që gjykata ndërmerr kundër Armando Dukës dhe FSHF-së me qëllim që mos të realizohen zgjedhjet e ditës së nesërme kur do të votohet për kreun e ri të Federatës. Nga njëra anë qëndron këmbëngulja e kryebashkiakut të Tiranës si njëri nga aksionarët e Shoqatës Rajonale të Tiranës, i cili ka kallëzuar penalisht FSHF-në për manipulimin e zgjedhjeve në këtë Shoqatë, e nga ana tjetër vijon mostërheqja e Dukës nga vendimi për votimet e 2 marsit. Më në fund, duket se Dhoma e Këshillimit të Gjykatës Penale e ka zgjidhur çështjen duke vendosur jo vetëm pezullimin nga detyra të katër prej emrave kryesorë të Federatës, por madje duke u kujdesur edhe që t’i kujtojë Dukës masën e dënimit që mund të marrë nëse vërtetohet fajësia e tij, një dënim deri në 7 vjet thotë Gjykata!
RRETHANAT E ÇËSHTJES
Prokurori i çështjes i parashtroi çështjen Dhomës së Këshillimit duke treguar rrethanat: “Nga ana e Prokurorisë, më 26.01.2022, është regjistruar procedimi penal nr.697 viti 2022, për veprat penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorim i detyrës’ parashikuar nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal. Ndërsa, më 24.02.2022 është bërë shënimi në regjistër i emrave të personit që i atribuohet vepra penale, konkretisht, emri i personit nën hetim Ardian Haçi për ‘Falsifikim i dokumenteve’; Armando Duka, Ilir Shulku dhe Koço Kokëdhima, për ‘Shpërdorimi i detyrës’. Pranë Prokurorisë së Tiranës, më 25.01.2022 është depozituar kallëzimi penal i bërë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëkohësisht dhe në cilësinë e aksionarit të Klubit të Futbollit Tirana ndaj shtetasit Ilir Shulku, me detyrë sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ardian Haçi, me detyrë sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Tiranë për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Falsifikimi kompjuterik’ dhe ‘Shpërdorim i detyrës’. Kallëzimi mbështetet në veprimet e kundërligjshme të ndërmarra nga shtetasit Ilir Shulku dhe Ardian Haçi, në procedurën e zgjedhjes së kreut të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës. Në kallëzim pretendohet se, më 24.01.2022, rreth orës 15:00, ka qenë planifikuar të zhvillohej mbledhja e delegatëve për zgjedhjen e kreut të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, ku në garë kanë qenë dy kandidatë, konkretisht shtetasi Krenar Alimehmeti, si dhe Eduard Prodani, ky i fundit është tërhequr pak pas nisjes së mbledhjes”, thotë Prokuroria në dosjen e vet. Po ashtu, prokurori i ka treguar Gjykatës edhe se si është shtuar fiktivisht numri i votuesve, se si kanë marrë pjesë në votime njerëz që s’kanë lidhje me anëtarësinë, duke dalë kundër statutit, pasi sipas Prokurorisë, statuti përcakton që: “delegatët duhet të jenë punonjës të anëtarëve të Shoqatës”!
VLERËSIMI I GJYKATËS
Duket iu referuar vendimit të zbardhur menjëherë të Gjykatës, vihet një arsyetim mbi vlerësimin e masave të marra i detajuar. Gjykata në vendim iu tregon personave nën hetim, konkretisht Dukës, Kokëdhimës, Shulkut dhe Haçit se mbi ç’baza ligjore është ndërmarrë ky vendimi pezullimi që është i përkohshëm. Mandej vijon me shkeljet që ka fiksuar prokuroria, si organi kërkues për këto masa shtrënguese. Ata iu kujtojnë të ndëshkuarve se sporti, duke qenë aktivitet publik dhe jo privat, është parë e arsyeshme të ndërmerret ky vendim deri në përfundimin e hetimeve. “Çdo masë sigurimi ka si karakteristikë disponibilitetin e përhershëm të prokurorit, si organi që inicion rishtazi kërkesën dhe si organi që ka vlerësimin ekskluziv mbi nevojën maksimale të procedimit mbi masën që zgjedh të kërkojë, dhe vlerësimin e pasuar nga vendimmarrja e gjykatës. Gjithashtu, ato kanë karakter të jashtëzakonshëm, pasi caktimi i tyre nuk është aksesor i përhershëm i procedimit penal dhe si rrjedhim caktimi i tyre nuk është rregull, por një përjashtim nga rregulli”, thekson Gjykata në vendimin e saj
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



