E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ekzekutimi i biznesmenit të kromit , prokuroria rikthehet te miqësia e Iljaz Çalit me Gjin Nikën
Lajme

Ekzekutimi i biznesmenit të kromit , prokuroria rikthehet te miqësia e Iljaz Çalit me Gjin Nikën

Ekzekutimi me armë zjarri brenda makinës së tij dy ditë më parë i Iljaz Çalit mbetet ende e mister, ndërsa Policia nuk ka autorë dhe as motive për këtë ngjarje.

Iljaz Çali kishte një biznesi kromi. 37-vjeçari rezultonte të kishte një biznes të përpunimit të kromit që prej janarit 2011, ku disponon 50% të aksioneve në kompani Çali-Metal. Kompania ushtron aktivitet nga një zyrë në fshatin Nikël të Fushë-Krujës dhe 50 për qind te aksioneve i zotëron i vëllai, Zeqir Çali.

Por, Policia në bazë të informacioneve që ka mbledhur lidhur me njohjet dhe miqësitë e viktimës është ndaluar edhe te njohjet e tij me Gjin Nikën, personin që konsiderohej jo vetëm vrasës me pagesë, por edhe një prej personave që kishte mundur të vriste disa rivalë në biznes.

Edhe pse Policia nuk ia vërtetoi asnjëherë, Gjin Nika u ekzekutua fiks 8 vite më parë thuajse në të njëjtën pritë fatale siç ndodhi edhe ekzekutimi i së hënës mbrëma. Pistat e hetimit për ekzekutimin e Iljaz Çalit janë ajo e larjes së hesapeve, por edhe ajo e konfliktit për biznesin e kromit.

I dyshuar si autor i disa vrasjeve për kromin e Bulqizës dhe plagosje, por asnjëherë i dënuar për to, 35-vjeçari Gjin Nika u qëllua me 30 plumba automatiku bashkë me mikun e tij, Fabio Xhunga, 33 vjeç.

Dy shokët po ktheheshin mbrëmjen e së enjtes nga Rinasi, ku kishin qenë në një lokal me të njohur të tyre, drejt Tiranës.

Ata ndodheshin në një motor “Yamaha” me targë “AA441” dhe po kalonin pranë urës së Tapizës, në afërsi të fshatit Qerekë kur u qëlluan për vdekje. Sipas Policisë, Nika dhe Xhunga u qëlluan nga një makinë, nga dy lloj armësh, duke i lënë të vdekur në mes të rrugës nacionale.

BORXHI

Iljaz Çali, 37-vjeçari që u ekzekutua në një pritë fatale në afërsi të kthesës së Rinasit, teksa merrte rrugën në drejtim të shtëpisë së tij, dyshohet se kohëve të fundit ka pasur probleme të theksuara në lidhje me një person. Emri i tij tashmë gjendet në dosjen hetimore.

Është mësuar për një sasi të madhe kromi, që kap shifrat e 1 milion dollarëve, të cilën ky person ua kishte marrë vëllezërve Çali, të cilët janë aksioner në minierat e kromit në Bulqizë. Policia dhe prokuroria nuk bënë me dije se kur do ta thërrasin këtë person për të dëshmuar në lidhje me konfliktin që lidhet me borxhin e pretenduar.

Po ashtu mësohet se kohëve të fundit, viktima kishte edhe një tjetër konflikt të hapur me një tjetër aksioner në galeritë e kromit, por në lidhje me këtë person ende nuk dihet nëse ka qenë problem konkurrence apo ndonjë pazar tjetër që lidhet me ndonjë histori të vjetër që ka sërish motive përplasjesh për biznesin që ka marrë shumë jetë njerëzish.

Grupi hetimor bën me dije se janë hapur me dhjetëra kamera për të mundësuar kapjen e ndonjë pamjeje që mund të ndihmojë hetimin, por fakti që e gjithë rruga ka qenë në errësirë totale ende nuk është bërë e mundur që të gjendet ndonjë mjet që mund të dyshohet për atentatin. Po ashtu, saktësohet se Policia ka siguruar se mjeti në të cilin udhëtonte i riu kishte GPS, mjet që në fakt e ka të instaluar nga kompania që i jep me qira makinat.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.