Harroi sobën e gazit me fasule ndezur, i shkrumbohet banesa
Një banesë në Fier është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm. Familja prej 4 anëtarësh ka mbetur në qiell të hapur, pasi shtëpia e tyre është shkrumbuar nga zjarri.
Gjatë një deklarate për mediat, kryefamiljari Astrit Metua tregoi se kishte shkuar se bashku me bashkëshorten shtatzënë dhe fëmijët tek mjeku, kur shtëpia është përfshirë nga flakët.
Metua u shpreh se kishin lënë bombolën e gazit ndezur duke zier fasulet kur u larguan nga banesa.
“Dërgova nusen shtatzënë për tu vizituar. Lashë bombolën e gazit aty, me gjithë fasule. Sa ktheva krahët e ika më morën në telefon, më thanë se ka rënë flaka. Banesa është e imja, jetonim dy fëmijët, gruaja dhe unë. Presim të tretin. S’kam asnjë lloj të ardhure, çfarë më japin të tjerët. Edhe dy pako makarona që kisha aty, as vetë nuk e di çfarë do ha tani. Kam vajtur kam kërkuar por s’më kanë dhënë. Vetëm banorët e lagjes më ndihmojnë. Tani jam mes 4 rrugëve, bashkëshortes ia prenë KEMP-in”, u shpreh ai.
Njoftimi i policisë:
Sot rreth orës 09:50, në Mbrostar Ura, në banesën e shtetasit A. M. ka rënë zjarr. Nuk ka persona të lënduar, vetëm dëme materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe zjarrëfikëset, të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit. Po punohet për sqarimin e shkaqeve të rënies së tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



