Qeveria tender 10 mln euro për bojëra fasadash , në kulmin e krizës
Në kulmin e krizës ekonomike, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka parashikuar të shpenzojë plot 10 milionë euro për rehabilitimin e faqeve të mureve të ndërtesave në zona të ndryshme
Në mes të kësaj jave, institucioni i drejtuar nga Dritan Agolli ka shpallur tre procedura, me fond limit rreth 1.2 miliardë lekë të reja.
Objekti është “Ndërhyrje rigjeneruese në blloqet e banimit, rigjenerimi i stokut të banesave në 4 rajone të ndryshme”.
Ofertat për këtë tender masiv pritet të dorëzohen brenda dy javësh, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi këtë nxitim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Shpenzimi marramendës për fasada pallatesh vjen në një moment që qytetarët shqiptarë po përjetojnë një prej krizave më të rënda ekonomikë në 30 vitet e fundit.
Një ditë më parë, bordi qeveritar vendosi çmimin rekord prej 258 lekë për litër karburanti. Ky çmim pritet të rrisë ndjeshëm çmimet e produkteve bazë ushqimore, të cilët kanë njohur tavane të larta që prej fillimit të këtij viti.
Paketat qeveritare të ndihmës ekonomike janë të pamjaftueshëm dhe numri i shqiptarëve që marrin ushqime me listë po rritet në mënyrë progresive.
Qeveria është deklaruar se do të jetë në krah të qytetarëve. Por, tenderat dhjetra milionë euro për fasada pallatesh tregojnë se deklaratat janë larg.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



