Plumb në kokë/ Xhaxhai i Mukajt: Sherifi nuk merrej me punë të pista
Policia e Korçës ka zbardhur më shumë detaje mbi trupin e dekompozuar që u gjet dy ditë më parë në malin e Gramozit, nga disa barinj që ishin duke kullotur bagëtitë. Mësohet se në pjesën e kafkës së viktimës është konstatuar një vrimë, që është pasojë e një goditje me armë zjarri, ndërsa burime bëjnë me dije se për rastin e Sherif Mukajt ka mbi 20 të shoqëruar në polici.
I riu në fjalë ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët më 1 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa i ati shprehej për mediat se nuk kishte probleme financiare dhe se nga komunikimet me të, nuk kishte vënë re ndonjë shqetësim.
Edhe xhaxhai i viktimës, Artur Mukaj tha se nuk beson se nipi i tij merrej me punë të pista.
“Isha deri dje vonë në Korçë në policia. Më thanë që nipin e kanë vrarë. Nuk ishte djalë që të ngatërrohej me punë të pisëta. Ai ishte i mbyllur, nuk hapej me njeri, ishte shumë i qetë dhe s’kishte nevojë të merrej me drogë sepse i dërgonte babai lek nga Amerika”.
“Në qershor i dërgoi babai 5000$, merrte pensionin e babait 200 mijë në muaj, dhe në tetor para së të humbte kontaktet, i sollën 700$. Nuk kam asnjë njeri që mund të dyshoj në lidhje me vrasjen, dua që policia ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen. Të gjejë njerëzit që e futën në këtë mesele dhe që e vranë. Nuk jemi në gjendje të flasim sepse na ka shokuar shumë kjo që ka ndodhur,” tha ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



