Intervistë me majmunin që rrahu tre policë dhe një turist grek
– Pronari yt thotë se ju jeni paqësor pse kaluat në akte dhune aq më tepër tani në mes të sezonit turistik në Sarandë?
-Jam nën akuzë? Kam të drejtë të marr avokat.

-Ke, por avokatët janë në grevë pa afat për shkak të hartës së re gjyqësore që ka shkurtuar numrin e gjykatave. Pse godite policët?
-Nuk është çështje personale.
– Po i dredhoni pyetjes?
-Jo. Në fillim u nervozova se policët bashkiakë erdhën ngaqë dikush më kishte denoncuar si ari. Unë, sikundër e shihni nuk jam ari. Quhem Kikua.
-Raporti policisë thotë se keni goditur me shpulla të tre policët bashkiakë. Pse?
-Njëri më shau dhe më tha ky mund të ketë lijën e majmunëve.
-Pse je i sigurtë se nuk ke sëmundjen ngjitëse?
-Më vjen keq për ju se jemi edhe kushërinj. Këto 100 vitet e fundit keni rrjedhur fare: në fillim u frikësuat nga gripi i shpendëve, pastaj gripi i pulave, pastaj gripi i derrit, pastaj covidi nga lakuriqi dhe tani lija e majmunit. Kam një pyetje për ju zoti prokuror, pse nuk vizitoheni te veterineri, por ende besoni te doktori?
-Po dy policët e tjerë…
-Kam arsyet e mia. E para nuk po bëjnë detyrat. Në Sarandë, por edhe në Tiranë që isha ditët e fundit, po rrallohen pemët dhe po shtohet betoni. Në Tiranë godina më e gjatë në Ballkan ka ndërtuar 5 kate pa leje.
-E ç’të duhet ty kjo?
– Kot. Ngjitur me këtë kullën e lartë, kishin prerë 10 pemë para ETC-së. Kur pronari im shpirtmirë futej aty për kafe, unë rrija te pemët aty. Nga aty kam parë katet pa leje. Polici bashkiak i Tiranës më tha se lartësia e kullës, në fillim, ishte ndërtuar sipas hartës së Shqipërisë, por duke parë se Europa nuk po hap negociatat, u shtuan edhe 5 kate për t’i bërë vend Shqipërisë së Madhe.
-Ou. Paske filluar të merresh edhe me politikë?
-Jo nuk ngatërrohem me politikë. Para se të vija te ju refuzova një kërkesë që me erdhi nga opozita.
– Çfarë ju kërkoi opozita?
– Më premtuan banane falas gjithë jetën, nëse do të merrja 20 majmunë të tjerë dhe t’i bashkohem protesës së ardhshme të opozitës.
-Çfarë të pëlqeu në Tiranë?
Kopshti zoologjik. Më i mirë në botë.
-Po tallesh?
JO e kam serioizisht. Shumica e kafshëve aty ishin prej plastike. Pra është hap para për të respektuar të drejtat e kafshëve.
– Ç’ne në Shqiperi?
– Kisha dëgjuar se keni bananet më te mira në botë? Kur ha bananet këtu jetoj dy jetë në të njëjtin moment!
-Po turistin grek pse e keni goditur?
-Për hakmarrje!
-A mund të na sqarosh?
– Greku është dinak. Bën sikur na sjell turist për një ditë dhe na merr punëtorët për një vit. E keni parë këtë vit që fëmijët po punojnë si kamarjerë. Por nuk e kam goditur vetëm për këtë. Turisti grek më fyeu rëndë.
-Çfarë të tha?
-Sapo të mbarojë gjyqi për detin, – tha, do jesh ti turist në Sarandë dhe jo unë. Pastaj nëpër dhëmbë shtoi: ne jemi më të vjetrit mbi dhé! Ju keni ardhur pas nesh!
-Për turistin grek, mund të bëjmë një tolerim, por a e di që e ke pisk se të rrahësh policët është goditje për shkak të detyrës?!
-E di, por pikërisht për shkak të detyrës i kam goditur. Nuk kanë kryer detyrën.
Nuk garantojnë hapërsirë në plazhin publik.
– Për sot mbaruam!
– Zoti, prokuror, meqë ju mbaruat kam edhe unë një pyetje për ju: Për kureshtje, a ka ndonjë gjë tek inceneratorët me emrin Kiko Trimi?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



