E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A ka gisht Samir Mane në zhdukjen e Vis Martinajt?!
Publik News

A ka gisht Samir Mane në zhdukjen e Vis Martinajt?!

 Gazetarët ripublikojnë shkrimin e fshirë

Që nga zhdukja në fillim të muajit gusht dhe denoncimi i familjarëve të Ervis Martinajt se atij, “mund ti kishte ndodhur diçka e keqe”, në medie janë hedhur shumë pista për fatin fundorë të tij.

Vetëm pak ditë më parë media online e këshilltarit në hije të kryeministrit Edi Rama, Baton Haxhiu, raportoj se Martinaj pasi ishte rrëmbyer ishte masakruar dhe trupi i tij është parë i copëtuar në 6 pjesë.

Më pas dolën detaje nga dita e fundit e Martinajt i cili ka qenë i shoqëruar nga një shok, një femër dhe një agjent i Forcave Operacionale të policisë, Jeton Lami, i cili ditën e djeshme edhe është arrestuar.

Ngjarja e bujshme është kthyer në një “telenovelë” krimi për medien, pasi Ervis Martinaj përveçse njihej si biznesmen i madh i lojërave të fatit dhe lotarive sportive, ishte edhe në krye të një organizate të frikshme kriminale e cila akuzohet për shumë ngjarje të rënda.

Në këtë vazhdë mediet janë rrekur që të gjejnë dhe të hedhin pista, shpesh të referuara nga grupi hetimor, se kush ishte ai apo ata që mund të kenë kryer eliminimin e një prej njerëzve më të mbrojtur dhe siç po del, i informuar dhe i mbrojtur nga segmente të uniformave blu.

Kështu referohen armiqësitë dhe lufta e përgjakshme me shumë viktima mes organizatës së Martinajt me klanin Duka; Konflikti me fisin Reçi dhe me Indrit Doklen ndaj të cilin sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit kishte ofruar deri në 500 mijë euro për ta vrarë;  vrasja e biznesmenit Ervis Doçit menjëherë pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” në vitin 2013; I përfolur dhe shoqëruar për vrasjen e bujshme të bankierit Artan Santo; Vrasja e Enton Nikës në Linzë pas një sherri të filmuar nga kamerat; i përfshirë në “Dosjen Shullazi”për çështjen Vollga dhe biznesmenin e Ylvi Beqja; Përplasja në Bllok me grupin e biznesmenit Ervin Mata ku mbeti vetë i plagosur dhe ju vra një nga pjesëtarët e grupit…

Por këto pista janë vetëm maja e ajsbergut të veprimtarisë së Ervis Mataj dhe me sa ka konstatuar grupi hetimor, armiqtë e tij janë shumë e më shumë.

Por përveç këtyre, ka edhe një pistë tjetër të cilën grupi hetimor që po merret me zhdukjen dhe fatin fundor të Ervis Martinajt, po e trajton “me përtesë”.

Ajo është gjobvënia ndaj bizneseve të shumta, duke nisur nga ata më të vegjël deri te emra që janë më të fuqishmit dhe qarkullojnë qindra milion euro.

Mësohet se  Ervis Martinaj dhe organizata e tij përveç veprimtarive të tjera gjobvënien e kishte bërë rrugë. Ato fillonin nga 100 mijë euro deri në 4 milion euro, si në rastin e një prej biznesmenë më të mëdhenj në vend. Shpesh pagesat janë kryer, por nuk kanë munguar as kërcënimet me rrëmbim familjarësh, apo hedhje në erë të bizneseve kur janë përsëritur apo janë refuzuar.

Ndaj nga Ervis Martinaj kanë qenë të interesuar për të shpëtuar, edhe shumë “bosë” të mëdhenj të biznesit shqiptarë.

Pikërisht një konflikt të tillë ka trajtuar pak ditë më parë në një shkrim të vetin, portali online “Eksluzive.al”.

Në këtë shkrim trajtohet një konflikt i hershëm dhe i ashpër i Ervis Martinajt, me ndoshta biznesmenin më të madh në Shqipëri, Samir Manen.

“Kujtojmë për lexuesit, se Samir Mane ka pasur të ndezur prej vitesh një konflikt me shumë të kërkuarin nga SPAK, Ervis Martinaj, konflikt që për pak sa nuk i mori jetën biznesmenit. Kjo përplasje mes biznesmenit dhe grupeve kriminale nuk është bërë publike, pasi për ngjarjen e rëndë heshti shteti, media, policia dhe prokuroria, e të gjithë në bashkëpunim tjetërsuan rrethanat e ngjarjes dhe vrasjen e oficerit gardist, i cili në atë kohë punonte si truproja e Samir Manes”, shkruhet mes të tjerave në këtë artikull që mund ta lexoni të plotë më poshtë.

Titulli i këtij artikulli të bujshëm ishte: A ka gisht Samir Mane ne zhdukjen e Ervis Martinajt?!

Por menjëherë pas publikimit dhe një shpërndarje të madhe në rrjet, ai u zhduk. Së pari nga vetë media që e publikoj.

Çfarë ka ndodhur? Kemi të bëjmë me një reflektim të portalit pasi ky lajm-aludim është thjesht një fantazi në funksion të klikimeve, apo ndërhyrjet për fshirjen e tij kanë qenë teje të fuqishme?

Gjithsesi “Alfapress.al” nuk do të ishte marrë fare me këtë çështje, sepse në Shqipëri gëlojnë rreth 900 portale shumica e të cilëve merren me “ngacmime” dhe shantazhe me gjysmë të vërteta ndaj biznesit. Pra me gjobvënie dhe pagesa e saj është shpesh arsyeja, e fshirjes së këtyre lajmeve.

Arsyeja që po e trajtojmë këtë shkrim dhe këtë pistë të “Eksluzive.al” është ajo e ndërhyrjes së disa gazetarëve me përvojë në kronikën e zezë dhe investigim, në këtë çështje.

Pas fshirjes së lajmit, gazetari Basir Çollaku i cili ka ngritur pyetje retorike edhe në kohën e “plagosjes” së biznesmenit Samir Mane, ngre shqetësimin e fshirjes së shkrimit në fjalë nga “Eksluzive.al”.

“Shkrimi është fshirë pak minuta pasi e kam shpërndarë. Nga portali që ka autorësinë apo të tjerë?!”, shkruan ai dhe njëkohësisht hedh një link tjetër ku mund të lexohet artikulli.

1

Pas Çollakut të njëjtën gjë ka bërë edhe gazetari tjetër i njohur i kronikës, Elton Qyno, i cili shkon edhe më tej në dyshimet e tij.

“Dy ditë më parë ky lajmi më doli sipërfaqësisht në faqen time në FB. Sapo e pashë mu duk si një punë e bërë shpejt e shpejt, aty për aty dhe koha kur e pashë ishte mëngjes. Sërish në mëngjes mu zhduk nga sytë, por çuditërisht mori një përhapje të menjëhershme, duke u zhdukur brenda dy ditëve sërish në mënyrë të menjëhershme.

Gjithë ajo punë e shkuar dëm dhe një vetë-censurim i shkuar kot, për një super shkrim si ky. Ndaj që duhet të përhapet dhe lexohet në gjithë kasabanë megjithëse portalet që e hapën në mëngjes, e hoqën sërish në mëngjes. Goxha pune e shkuar dëm, gjynaf…”, sugjeron Qyno.

2

Pra me shprehjet “të përhapet dhe lexohet në gjithë kasabanë” dhe “Goxha punë e shkuar dëm, gjynaf…”, gazetari me lidhje dhe burime të forta në prokurori dhe SPAK, konfirmon të dhënat dhe pistën e hedhur në shkrimin e fshirë të “Elsluzive.al”.

Pavarësisht se si është e vërteta në “Çështjen Martinaj”, po ri publikojmë edhe njëherë shkrimin e vetë-censuruar nga autorët, por të shpërndarë më pas nga kolegët, (edhe shumë të tjerë në fakt), Basir Çollaku dhe Elton Qyno.

Shkrimi i plotë i botuar dhe fshirë më pas nga “Eksluzive.al”

A ka gisht Samir Mane ne zhdukjen e Ervis Martinajt?!

3

Oligarku Samir Mane është parë në fundjavë në qytetin e Korçës tek festonte krahë mikut dhe ortakut të tij Aleksandër Frangaj, nën shoqërinë e të afërmve të tyre.

Një dalje publike e tillë e biznesmenit Mane nuk është parë që pas plagosjes së tij në vitin 2018 në restorantin e kunatit të Frangaj, në qendër të Tiranës.

Dalja e tij publike nga “strofka” padyshim nuk është rastësore por lidhet me publikimin e lajmit, se njëri nga rivalët e tij, më saktë autori i plagosjes së biznesmenit në vitin 2018, është gjetur i vrarë dhe trupi i copëtuar në 6 pjesë.

Këtë lajm e ka publikuar portali i gazetarit Baton Haxhiu, edhe pse burimet e policisë për identitetin e viktimës dhe fatin e tij janë ende kontradiktore. Afrimiteti i gazetarit me dy biznesmenët Mane dhe Frangaj dihet.

Teksa familja e shumë të kërkuarit nga drejtësia po mban zi, Samir Mane është parë duke festuar tek “Festa e Birrës”, që u mbajt këtë fundjavë në qytetin e Korçës. Për eleminimin e Martinaj shishet e shampanjës nuk janë hapur vetëm në Korçë nga Mane por edhe në Dubai, ku mendohet se fshihen kokat e grupeve rivale që e donin të vdekur 40 vjeçarin, njësoj si biznesmeni.

Kujtojmë për lexuesit, se Samir Mane ka pasur të ndëzur prej vitesh një konflikt me shumë të kërkuarin nga SPAK Ervis Martinaj, konflikt që për pak sa nuk i mori jetën biznesmenit.

Kjo përplasje mes biznesmenit dhe grupeve kriminale nuk është bërë publike, pasi për ngjarjen e rëndë heshti shteti, media, policia dhe prokuroria, e të gjithë në bashkëpunim tjetërsuan rrethanat e ngjarjes dhe vrasjen e oficerit gardist, i cili në atë kohë punonte si truproja e Samir Manes.

Lajmi nuk u bë i ditur, sepse Mane i bleu të gjithë duke kapur prej fyti të gjithë: pushtetin, opozitën, prokurorinë, gjykatat, institucionet ligjzbatuese, deputetët, policinë, median dhe çdo faktor që mund të bëhet pengesë në publikimin e ngjarjes së rëndë.

Prej muajit maj i vitit 2018, kur u plagos Samir Mane dhe truproja i tij u ekzekutua, oligarku është kthyer edhe në aksionerin kryesor të krimit të organizuar, bandave mafioze dhe pastrimit të parave në Shqipëri, sekser pronash dhe allishverisheve që i bën në bashkëpunim me kriminel e të kërkuar nga drejtësia… një investigim për të cilin do flasim në një shkrim të radhës.

Më datë 24-25 maj 2018, tek Restorant “Padam” në Tiranë, në pronësi të kunatit të Aleksandër Frangaj pra ortakut të Samir Manes, biznesmenit i është bërë atentat, nga i cili Mane mbeti i plagosur ndërsa një oficer i Gardës së Republikës, Martin Nika, i cili punonte si truprojë për oligarkun mbeti i vrarë.

Ngjarja asokohe u mbajt e fshehtë nga policia, prokuroria, qeveria dhe opozita… madje vrasja e oficerit gardist u shpall aksident automobilistik.

Burimet pohuan në atë kohë, se Mane është plagosur nga vetë Martinaj, pas një sherri të nisur në ambientet e restorantit, i cili nisi me sharje dhe fyerje mes tyre dhe përfundoi me plagosjen e oligarkut.

Në tentativën për të mbrojtur biznesmenin ka humbur jetën oficeri i ndjerë Martin Nika, i cili punonte edhe si truproje për Manen. Nga po të njëjtat burime, konfirmohet se sherri midis Manes dhe Martinaj ka nisur për pronësinë në bregdetin e Palasës, ku një i afërmi i Martinaj kishte një pjesë toke të cilës Mane po mundohej ta tjetërsonte për ndërtimin e vilave të kompleksit të tij luksoz Green Coast.

Plagosja e Samir Manes nga Martinaj, është një pistë për SPAK që të nis hetimet për biznesmenin, një nga personat e interesuar për eleminimin fizik të 40 vjeçarit. Spak duhet të sekuestroj aparatët celularë dhe pajisje të biznesmenit, përmes këtij veprimi do të zbulojë kush fshihet pas eleminimit fizik të Martinaj.

Kush është Ervis Martinaj?

Emri i Ervis Martinajt do të përmendej për herë të parë në kronikat e zeza në tetor të 2013-ës. Në zonën e “Komunës së Parisit” u ekzekutua Elvis Doçi, një biznesmen në fushën e lojërave të fatit. Policia në atë kohë e hetoi si të dyshuar për ngjarjen për shkak të një konflikti që kishte pasur me viktimën për lojërat e fatit, pak pas nisjes së operacionit “fundi i marrëzisë” që mbylli kazinot në vend.

Në nëntor të 2015-ës Ervis Martinaj do të shfaqej në një tjetër vrasje, këtë herë e dokumentuar me pamje filmike.

Enton Nikaj ekzekutohet në zonën e Linzës, në parkingun e një restoranti të njohur. Sherri për një borxh të pakthyer përfundoi me shkrepjen e pistoletës që i mori jetën 30-vjeçarit. Për vrasjen u dënua Emiljano Tasho, një nga shoqëruesit e Ervis Martinaj.

Ndërkohë që fuqizonte pozitën e tij në fushën e lojërave të fatit, Martinaj do t’i shpëtonte vetë plumbave në tetor të 2018-ës në zonën e ish-Bllokut. Ai mbeti i plagosur nga ish-komando Meviol Bilo ndërsa plumbave nuk i mbijetoi shoku i tij Fabiol Gaxha. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe Eljon Hato shoqëruesi tjetër i Martinajt.

Martinaj ishte subjekt edhe i operacionit “Forca e Ligjit”, të cilit iu kërkua vetëdeklarim i pasurisë. Në prill të 2021-it, 40-vjeçari i lindur në Burrel por me banim në Fushë-Kuqe dhe Tiranë, u dënua nga Gjykata e Tiranës me gjykim të shkurtuar me 3.8 vite burg.

Ai u shpall fajtor për akuzat e “Sigurimit të kushteve për vrasje”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikim i pasaportave, kartave të identitetit apo vizave”, dhe “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”./Alfaoress

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.