Si u ‘thye’ pronari i hotelit që vrau shqiptarin në Greqi: Ishte i dehur..
Vrasja e biznesmenit shqiptar, Xhani Topalli në Rodos të Greqisë ka tronditur opinionin publik. Babai i 3 fëmijëve të mitur u vra nga një pronar hoteli, 53-vjeçar dhe djali i tij. 53-vjeçari i kishte borxhe biznesmenit të ndërtimit. Nga ekzaminimet paraprake rezulton se vdekja e Topallit është shkaktuar nga dy plagë në kokë dhe jo nga mbytja siç është njoftuar më herët.
Megjithatë, mediat greke shkruajnë se fakti se nga ngjarja ka kaluar një periudhë prej rreth dhjetë ditësh dhe kalbja e trupit të pajetë mund të ketë ndryshuar apo “zhdukur” elementë të tjerë që mund të kenë qenë aty dhe që tregojnë më shumë për vrasjen e tij.
Mësohet se pronari i hotelit, bashkë me djalin e tij, 40-vjeçar ia kanë marrë jetën shqiptarit në mes mbrëmjes së 28 Gushtit dhe mëngjesit të 29 Gushtit. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se ngjarja të ketë ndodhur si pasojë e një borxhi prej 140 mijë eurosh.
Mediat shkruajnë se kur autoritetet shkuan në hotelin e 53-vjeçarit ky i fundit ka pohuar se Topalli kishte bërë disa punime në hotelin e tij, por për pagesat ishin likuiduar. Po ashtu, ka përmendur se në mbrëmje, viktima e ka telefonuar dhe ka folur një herë me të. Pastaj e ka telefonuar sërish, por ai nuk është përgjigjur pasi i dukej se shqiptari ishte i dehur. Ai pohoi se deri në orën 01:00 të 29 Gushtit ka qenë në një festival. Pronari i hotelit ka thënë se ka parë makinën e shqiptarit atje, por nuk e ka takuar atë.
Kur u pyet për kamerat e sigurisë, 53-vjeçari ka thënë se nuk punojnë dhe se i ka kërkuar teknikut që të regjistrojë vetëm për dimër dhe jo për verë. Por nga hetimet rezultoi se pronari i kishte kërkuar teknikut që të fshinte drive-t e kamerave më 30 Gusht. Mëngjesin e 6 Shtatorit, djali dhe babai u çuan para policisë dhe 53-vjeçari pohoi se ka qenë në një gjendje të rëndë psikologjike dhe se ndjen një barrë që duhet ta heqë. Kështu dha të gjithë dëshminë e tij ku tregoi edhe se ku e kishin fshehur trupin e pajetë.
Sipas të dhënave, Topalli dhe pronari grek i hotelit ishin takuar që në vitin 2014 së bashku. Ata kishin bashkëpunuar në disa projekte të ndryshme. Sipas pretendimeve të autorit, në 2019 shqiptari i rinovoi dhomat e hotelit për një shumë prej 100 mijë eurosh. Për këtë arsye i dha paraprakisht 25 mijë euro shqiptarit duke i lënë për të paguar 75 mijë të tjera. Por pretendon se nga koronavirusi nuk ka qenë në gjendje ta ripaguante dhe nga Maji dhe Qershori i ka dhënë disa shuma të vogla. Në dëshminë e tij pas pendimit, pronari i hotelit ka thënë se në mëngjesin e 28 Gushtit, Topalli i ka kërkuar një takim dhe të firmosë disa deklarata përgjegjësie. Por 53-vjeçari nuk ka shkuar në takim. Rreth orës 14:30 shqiptari e ka marrë sërish. 53-vjeçari ka thënë se shqiptari ishte i dehur.
53-vjeçari pretendon se i ka thënë Topallit se do të shkonte në një festival, por ky i fundit e ka marrë sërish. Rreth orës 22:30-23:00 të asaj dite, shqiptari e ka telefonuar prapë. 53-vjeçari thotë se e hapi telefonin dhe i ka kërkuar biznesmenit shqiptar që të lënë një takim ditën tjetër sepse kishte pirë shumë. Po ashtu, sipas tij, shqiptari filloi ta shante, kërcënonte dhe shton se i kërkoi 500 Euro.
Në orën 22:40, sipas pronarit grek, shqiptari ka shkuar në oborrin e hotelit. Aty e ka pikasur djali 20-vjeçar i tij që ka informuar babanë se 46-vjeçari ndodhej pranë hotelit i acaruar, duke i rënë borisë dhe duke sharë. 53-vjeçari pretendon që shqiptari i ka sulmuar djalin. Pas kësaj ai ka dalë nga kontrolli dhe instinktivisht ka marrë një litar nga një makinë dhe e ka mbytur. Gjithçka ka ndodhur në parkimin e hotelit.
53-vjeçari thotë se ka marrë makinën dhe ka shkuar në shtëpi. Ai ka parkuar në një mënyrë që mos të shihte njeri gjë dhe ka pritur derisa të gjithë familjarët i ka zënë gjumi. Pas kësaj janë marrë me fshehjen e trupit. Djali është marrë me makinën e 46-vjeçarit shqiptar dhe e la në një zonë pranë Kallithea-s. Pastaj u kthyen në hotel dhe e hodhën trupin në një makinë. Trupin e pajetë e kanë mbuluar me një copë të bardhë dhe i kanë vënë një dru sipër që të copa të mos hiqej. Pas kësaj u nisën për Psinthos. Djalin e la tek banesa dimërore ndërsa vetë shkoi deri në një vend të izoluar ku hodhi trupin dhe e mbuloi me dhe. Edhe djali ka konfirmuar dëshminë e babait..
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



