E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kriza e plehrave, Shijaku rishpall tenderin fiktiv për mbetjet
Lajme

Kriza e plehrave, Shijaku rishpall tenderin fiktiv për mbetjet

Të gjitha rrugët të çojnë te landfilli i Zotos

Bashkia e Shijakut vijon të përpëlitet në procedurat për plehrat, ndërkohë që qytetarët vuajnë në mënyrë periodike tymin toksik që prodhohet nga djegia e paligjshme e mbeturinave në periferi të qytezës.

Ditën e hënë, bashkia e drejtuar nga Elton Arbana ka rishpallur tenderin “Depozitim mbetjesh urbane”, me fond limit rreth 250 milionë lekë të vjetra.

Kjo procedurë është anuluar fillimisht në korrik të këtij viti, me argumentin se nuk kishte ofertues, pavarësisht se i gjithë tenderi ishte hartuar që të fitohej nga kompania koncesionare e landfillit të Sharrës, “Integrated Energy BV”.

Paralelisht me këtë tender, bashkia e Shijakut ka në fuqi një marrëveshje me kompaninë e krijuar nga Klodian Zoto, të firmosur në gusht të vitit të kaluar.

Sipas marrëveshjes, Shijaku do të depozitojë mbeturinat në landfillin privat të Tiranës, duke paguar për 5 vitet e ardhshme një tarifë 29 euro për ton.

Pra, ndërkohë që ekziston një marrëveshje në fuqi për depozitimin e plehrave, bashkia e Shijakut shpall tender për të njëjtën gjë.

Referuar letrave dhe dokumenteve, Shijaku, më së paku, duhet të kishte shmangur emergjencën mjedisore me plehrat. Por, gjendja në terren është shumë e vështirë.

Prej fillimit të kësaj jave, banorët e qytezës gjenden nën tymin e zi që krijohet nga djegia e plehrave.

Kryetari i bashkisë, Arbana, si edhe Policia e Durrësit thanë se një person po digjte goma dhe ai u arrestua.

Deklaratat e tyre u rrëzuan nga pamjet e “Syri Televizion”, ku tregohet qartësisht se aty po digjeshin mbeturina urbane.

Bashkia e Shijakut, së bashku me atë të Durrësit e Kavajës, u gjendën nën emergjencën e plehrave në verën e vitit 2020, pasi qeveria e Edi Ramës vendosi mbylljen e landfillit të Porto Romanos, pa siguruar më parë një hapësirë tjetër.

Pasi plehrat pushtuan të gjithë qytezat bregdetare, Rama ngarkoi ish-drejtorin e Agjencisë së Mbetjeve, Alqi Bllako, që të detyronte bashkitë e përfshira në krizë për të lidhur marrëveshje me landfillin privat të Klodian Zotos, në Tiranë

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.