Zbardhen diskutimet në grupin e Alibeajt, kush janë deputetët që dalin kundër votimeve
Negociatat brenda PD dhe me aleatët, Berisha shtyn me 10 ditë primaret!
Kryesia e grupit të deputetëve demokratë, që drejtohet nga Sali Berisha, vendosi dje të shtyjë me 10 ditë afatin e primareve që do të nxjerrin kandidatët për kryetar bashkie për zgjedhjet e 2023.
Ky vendim erdhi pas takimit të parë mes dy të mandatuarve, Paloka dhe Bardhi, në një zyrë private përballë Parlamentit të Shqipërisë. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, çdo person i cili dëshiron që të marrë pjesë në primaret që do të zhvillohen më 4 dhjetor, do duhet që të dorëzojë në degën ku bën pjesë apo në selinë qendrore të Partisë Demokratike dokumentet përkatëse.
Pra, faza nga dita e djeshme deri në datën 6 nëntor do të shfrytëzohet për të evidentuar kandidatura potenciale që mund të marrin pjesë në primare. Gjithashtu, Kryesia e grupit “Berisha” miratoi që nga data 7 nëntor deri më 13 nëntor të bëhet filtrimi i kandidatëve që kanë aplikuar për të marrë pjesë në primare dhe pas datës 13 do të nisë fushata e çdo kandidati dhe në 4 dhjetor do të zhvillohen zgjedhjet. Paralelisht me këtë dje, kryesia e PD-së miratoi edhe modalitetet e regjistrimit të simpatizantëve të PD-së. Regjistrimi i tyre filloi nga dje dhe do të vijojë deri 5 ditë para datës së zgjedhjeve të primareve.
PRIMARET
Ndërkohë, ish-Kryeministri në fjalën e tij para deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë kërkoi angazhimin maksimal të tyre për të zhvilluar një proces model të primareve. Sipas Berishës, primaret janë të rëndësishme në një kohë që përballë kanë një kundërshtar, të cilin e ka cilësuar armik të votës së lirë. “Sot, ne jemi mbledhur për miratimin e udhëzuesit që ka të bëjë me modalitetet e pjesëmarrjes së simpatizantëve në primaret për zgjedhjet e pushtetit vendor 2023, si dhe zgjedhjen e Komisionit të Organizmit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale.
Dhe pika e tretë, hapja e garës së primareve për pushtetin vendor në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Siç e shihni, mbledhja është e një rëndësie të veçantë. Në përputhje me përcaktimet statutore dhe vendimet e bazuara në këtë përcaktime, ne vazhdojmë me përpjekjen tonë për një transformim të jetës së PD-së, në një forcë politike më demokratike, më të hapur. Në një forcë politike, e cila vendimmarrjen kryesore ia beson anëtarësisë dhe simpatizantëve të saj, të cilët kanë një investim të madh në këtë parti. Do të jenë ata që me votën e tyre do përcaktojnë qytetarët e parë, por edhe këshilltarët, parlamentarët e tyre lokalë.
Mendoj se kjo risi është një kontribut thelbësor i opozitës shqiptare në demokracinë e këtij vendi. Veçanërisht, zbatimi i kësaj praktike merr një rëndësi të veçantë po të kemi parasysh qëndrimin antidemokratik që mbahet dhe që është mbajtur vitet e fundit ndaj votës së qytetarëve, ndaj votës në tërësi, e cila faktikisht, de facto, është përjashtuar pothuajse tërësisht, ka kaluar në formalitet”, tha Berisha. Ndërkohë që informoi se do vijojë përpjekjet për të gjetur gjuhën e përbashkët për kërkesat e tyre që Berisha i konsideroi të arsyeshme.
“Në këtë kontekst, udhëzuesi parashikon, ka dhe datat e veprimeve konkrete, por dua t’ju informoj se janë zhvilluar dhe do zhvillohen takime intensive me aleatët tanë për të gjetur gjuhën e përbashkët. Ka sugjerime të drejta, kanë propozime të arsyeshme dhe theksoj që mirëpriten të gjitha sugjerimet e tyre, mirëpriten të gjitha kandidaturat e tyre, mirëpriten në mënyrë të padiskutueshme kandidatura nga shoqëria civile, bota akademike e vendit. Ne hapim një garë të paparë ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka për suksesin e saj. Suksesi i kësaj gare është një sukses për PD, opozitën dhe demokracinë në Shqipëri. Ekzistojnë të gjitha kushtet dhe mundësitë për realizimin e një procesi dinjitoz dhe transparent. Ju ftoj ju, kryetarët e grupeve të punës, anëtarët e grupeve të punës, të bëjnë të gjithë promovimin tek anëtarësia jonë, te simpatizantët tanë, por edhe te qytetarët shqiptarë të këtij procesi, do të thosha, një hap i rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe normave të saj në Shqipëri”, përfundoi Berisha.
Zbardhen diskutimet, Salianji, Çupi e Duma pro procesit Alibeaj, Gështenja e Çollaku: Në këtë moment përçajnë
Vendimi i Kryesisë së grupit demokrat që drejton Berisha shkaktoi reagime dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së që drejtohet nga Alibeaj. Debati nisi pasi Gazment Bardhi informoi kolegët e tij deputetë në lidhje me takimin që kishte zhvilluar me Palokën dhe ku pas diskutimeve, Paloka e kishte informuar se kryesia e tyre kishte vendosur shtyrjen me 10 ditë të procesit të primareve për t’i dhënë hapësirë diskutimeve të brendshme.
Por, sipas disa deputetëve që ishin brenda mbledhjes si Lefter Gështenja, Kreshnik Çollaku dhe kryetari i Grupit, Enkelejd Alibeaj, u shprehën se procesi i primareve nuk i shërben bashkimit në këtë proces, por të kundërtën thellon përçarjen.
DEBATI
Lefter Gështenja: Në këtë moment ku ndodhet opozita, nuk na shërbejnë. E thellojnë përçarjen. Në këtë moment duhet gjithëpërfshirje. Duhet patjetër me një kandidat, s’ka rrugë tjetër. Çdo alternativë tjetër shkon në favor të Ramës. Ne duhet të dalim në terren të takohemi me strukturat.
Enkelejd Alibeaj: Ne nuk mund të marrim pjesë në një proces të tillë. Çfarë mund t’i them unë kryetarëve të degëve që ishin në 8 janar në PD kur ndodhi ajo që ndodhi.
Kreshnik Çollaku: Ai e ka bërë fakt të kryer procesin e primareve. Ata na urrejnë neve nuk mund t’i bashkohemi dhe të shkojmë pas në një proces që na e kanë bërë fakt të kryer.
Grida Duma: Ne e dimë që primaret janë vlerë në demokraci, e që PD-ja bën primare, që do doja të ishin të tilla bashkë me debatin e platformave, është gati krenari. Të jemi të qartë primaret do të kenë vlerën e madhe në bazë të mekanizmit të qartë si do të mundësohen. Listat e demokratëve, e peshimi i menduar i simpatizantëve përkundrejt anëtarëve. Pra, mekanizmat e zhvillimit të procesit janë po aq jetike sa vetë primaret. Nga ana tjetër, ka ende kohë për të diskutuar mes nesh se si shkohet në këtë proces bashke.
Dhurata Çupi: Mendoj se duhet të shkojmë në primare. Ne s’jemi aleat të Partisë Demokratike, por jemi anëtarë të Partisë Demokratike. Ne duhet të shkojmë që të bëjmë bashkë demokratët, edhe atë pjesë që nuk ka dalë në zgjedhjet e kaluara.
Ervin Salianji: Asnjë demokrat nuk mund të kundërshtojë votën, primaret ose procesin ku anëtarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre, proces 1 anëtar një votë është në statutin e partisë demokratike kur ne ishim të bashkuar, primare quhen tani, pavarësisht emërtimit ne si parti i japim peshën votës. Mendimi im është që të votojë kush të dëshirojë se kryetari i Bashkisë apo deputeti do përfaqësojë qytetarët. Ajo që duhet diskutuar në kushtet e një konflikti dhe mosbesimi të thellë mes demokratëve, është kontrolli i procesit, shmangia e pilotimit, shmangia e manipulimit. Këtu të gjithë e dimë, por mbase se kemi thënë, listat kur ishim të gjithë bashkë ishin problematike, njësoj do kontestohen me çdo rast.
Prandaj, propozoj që në bisedime të propozohen grupe të përbashkëta për drejtimin e procesit, grupe për regjistrimin e anëtarësisë dhe simpatizantëve, hapjen e procesit të regjistrimit të simpatizantëve dhe vota ta përcaktojë më të mirin. Interesi është t’i japim demokratëve kandidatët më të mirë dhe të rikthejmë bashkitë te qytetarët. Secili të lëshojë nga ego personale që jo vetëm demokratët, por demokracia të marrë kuptim në këtë vend! Nëse ka propozime për sondazh apo për zgjerimin e bazës së testimit të kandidateve edhe më mirë! Të dy pjesët të shmangin konfrontimet dhe ecjen në rrugë të njëanshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



