E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjobëvëniet nga McGonigal/ Berisha: Data e fundit e kësaj veprimtarie, me sa di unë, është 20 maji 2022
Politikë

Gjobëvëniet nga McGonigal/ Berisha: Data e fundit e kësaj veprimtarie, me sa di unë, është 20 maji 2022

Kryetari demokrat, Sali Berisha, u ndal në takimin me deputetët demokratë, sërish te mega-skandali Rama-McGonigal.

Ai tha se aktiviteti gjobëvënës i McGonigal ka vazhduar të paktën deri më 20 maj 2022.

“Të nderuar deputetë, nesër është përsëri një seancë e parlamentit, në të cilën siç duket, pseudoshumica e skandaleve, e vjedhjeve, vazhdon bllokimin e parlamentit dhe asgjësimin, shkelmimin e të drejtave të opozitës.

I ngërthyer dhe i pashpresë në Rama-gate, apo Uotergejtin e shekullit të 21-të, Edi Rama beson dhe mendon, ose ka vendosur ta kapërcejë këtë skandal, duke paralizuar hetimin parlamentar, duke paralizuar të drejtat e deputetëve, të drejtën e fjalës.

Edhe njëherë, dua t’u bëj të qartë të gjithë qytetarëve shqiptarë, se në këtë çështje, me këtë skandal, janë dëmtuar interesat e mbarë shqiptarëve sepse afera Rama-McGonigal ishte një levë Arkimedi për konsolidimin, për fitoren e paligjshme dhe konsolidimin e pushtetit të Edi Ramës të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen.

Shqiptarët janë dëshmitarë për të gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që iu dha Edi Ramës, pavarësisht nga dhunimi i zgjedhjeve, pavarësisht nga shndërrimi i vendit në një protektorat krimi, pavarësisht nga vjedhjet e shfrenuara të fondeve, buxhetit, pasurive publike të shqiptarëve.

Nuk ka dyshim se prapa kësaj mbështetje qëndronte edhe dora e zezë e Charles McGonigal, i cili i paguar nga Edi Rama, nëpërmjet Dorian Duçkës, këshilltarit të tij personal, i cili i dha 225 mijë dollarë në garazhet dhe banesën e Agron Nezës, bëri gjithçka që sipas një skenari supermafioz, duke tradhtuar vendin e tij, betimin ndaj ligjit dhe Kushtetutës, besimin e presidentit të SHBA dhe të Kongresit amerikan ndaj tij dhe u mor me shkatërrimin e opozitës shqiptare, me qëllimin e vetëm, që pagatori i tij të vazhdonte të qëndronte në pushtet dhe ta paguante më tej.

McGonigal është në burg dhe krimi i tij është i shëmtuar, por për Shqipërinë, më i rëndë është krimi i Edi Ramës. Kryeministër që paguan vrasës me pagesë kundër pluralizmit dhe opozitës së vendit të tij.

Ky nuk është kryeministër, ky është krim-ministër. Ky krim-ministër, për t’u fshehur pas gishtit, bllokon dhe paralizon parlamentin.

Veprimtaria e Rama-gate është vetëm maja e ajsbergut. E vërteta është se në thellësinë e saj, ka krime të shumëllojta. Dorian Duçka, këshilltari personal privat i Edi Ramës, në emër të Edi Ramës, bashkë me mafiozin Agron Neza, që u paraqitej viktimave të veta si oficer i FBI-së, kalonin nga klubi në klub, nga restoranti në restorant, duke gjuajtur ku gjenin biznesmenë, për t’i terrorizuar se jeni në lista dhe se duhet të merremi bashkë tani, për të zgjidhur problemet. Përndryshe, blacklistimi është i sigurt për ju.

Kjo veprimtari, të dashur miq, datën e fundit të saj që di unë, është 20 maj e vitit 2022.

Menaxher i saj direkt është Edi Rama, për aq sa Duçka me pasaportë diplomatike dhe adresë qeveritare, ishte këshilltari personal i Edi Ramës.

Për aq sa Duçka, transportonte nga Europa në SHBA, dëshmitarë të rremë apo të vërtetë, që do dëshmonin kundër opozitës në hetimin privat që McGonigal kishte urdhëruar.

Ai arriti të angazhojë prokurorë nga Minsitria e Drejtësisë së SHBA dhe i sillte në Vjenë.

Ndërkohë Rama, urdhëronte Etilda Gjonin, ministren e Drejtësisë, të ishte pjesë e këtij ansambli në Vjenë.

Prandaj Rama ka frikë dhe tmerr nga hetimi, prandaj gënjen kur thotë se nuk ka qenë. I them se ka qenë dhe me asgjë nuk e fsheh dot këtë,” tha Berisha.

Po kjo nuk do të thotë se pas majit nuk ka vazhduar ky gjah i turpshëm mafioz. Kjo është një ngjarje që nuk mund të kapërcehet kurrë,” tha Berisha.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.