Rrëfimi tronditës i vëllait të killerit Dan Hutra: Kishim frikë se na vriste, ikëm nga Shqipëria sepse…
Dan Hutra, autori i vrasjeve që tronditën Tiranën pak ditë më parë, prej kohësh nuk kishte komunikim me dy vëllezërit e tij dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.
Njëri prej vëllezërve të tij, në një intervistë për meidan, ka folur gjatë për raportin mes tyre si dhe karakterin e të vëllait, autor i 4 vrasjeve.
Ai tregon se arsyeja që ka ikur të jetojë jashtë Shqipërisë dhe ka marrë dhe vëllanë tjetër ka qenë frika se mos Dan Hutra i eliminonte edhe ata, sepse kurrë nuk i kishin shkuar në burg apo sepse nuk ishin interesuar.
Pjesë nga intervista:
Gazetari : Çfarë jete ka bërë Dan Hutra, a kishte probleme ai, a kishte lidhje me grupe kriminale?
Vëllai i Dan Hutrës: Nuk jam në dijeni, atë ta gjejë drejtësia. Ato rroba firmato, ato lekë që ai jepte, ato gjykatës që për t’u pasuruar ato nxjerrin kriminela nga burgu. Prokurori për t’u pasuruar nxjerr kriminelin nga burgu. Një fukara vjedh energji se nuk ka ta paguajë, shkon e bën tre vjet burg, një që nxjerr një ndërtim pa leje për të mbuluar kokën e kalamajve, shkon në burg dhe ngelet në burg i shkreti se nuk ka lekë për t’i dhënë prokurorit dhe gjykatësit, kurse krimineli vret, masakron dhe del nga burgu, kjo është fatkeqësia e shqiptarit, se është gjynah për një Shqipëri që është aq e vogël dhe të vuajmë të tilla gjëra. Ai kriminel me të vërtetë vrau tre bija nënash dhe thau katër zemra se katër ka vrarë ai, katër zemra nënash i thau, por ama ka vrarë edhe 12 të tjerë që janë pa varrosur. Ne jemi të vrarë, por jemi të pavarrosur, nuk na fut kush në dhe, ka vrarë edhe 12 të tjerë, jemi të pavarrosur.
Gazetari: Nga informacionet që keni ju, pas daljes nga burgu për vrasjen e gruas së parë, me çfarë merrej Dan Hutra, çfarë jete bënte ai, a kishte kontakt me familjarë të tjerë?
Vëllai i Dan Hutrës: Unë të them me gjithë sinqeritetin më të madh me gjithë vëllain tjetër që kemi ikur, vëllain tjetër e kam marrë nga frika, kur doli nga burgi Dan Hutra, e kam transferuar nga Shqipëria sepse po të na shikonte neve ai do na linte ai? Të parët kemi qenë ne në listë se pse nuk e kemi ndihmuar dhe ndjekur në burg, të parët kemi qenë ne në listë për atë, do na eleminonte të parin.
Gazetari: Ju thoni, ju vetë familja kishit konflikte me Dan Hutrën?
Vëllai i Dan Hutrës: Jo konflikte, por ngaqë nuk e kishim distancuar dhe arsye e vetme që kam tërhequr vëllain tjetër me gjithë familje vetëm nga frika që një ditë do ta pësonte siç e pësuan viktimat e pafajshme.
Gazetari: Në gjykatë Dan Hutra ka deklaruar se nuk është penduar për krimet që ka bërë, madje ka dhënë edhe detaje të rënda se si i ka kryer këto krime, si e gjykoni deklartatën e tij?
Vëllai i Dan Hutrës: Ai vetëm njeri nuk është ai, vetëm gjak nuk ka. Ka ndjerë keqardhje gjithë Shqipëria për atë që bëri, nuk ka gjak ai njeri. Për t’u larë ato viktima, ai kriminel me gjithë gjykatësin duhet të paraqiten para familjarëve, po qajnë katër nëna (përlotet)
Gazetari: Ju kuptoj, e di që është një moment shumë i vështirë për ju dhe familjen tuaj, pasi është një ngjarje shumë e rëndë që ka tronditur gjithë Shqipërinë?
Vëllai i Dan Hutrës: Nuk mendon kush për ata nëna, kam fëmijë vetë (përlotet) imagjinoj fëmijët e mi, të më ndodhë në fëmijën tim, por nuk kemi drejtësi, gjykatësi për të mbushur xhepin e vet, nuk i intereson se çfarë do bëjë ai kriminel, i gjen arsyet dhe i thotë me sill këtë letër vetëm për t’i ulur dënimin dhe për ta nxjerrë jashtë nga burgu. Lodhet polici i shkretë që merr 500 mijë lekë rrogë dhe vë jetën në rrezik për ta kapur kriminelin dhe pas dy javësh e sheh sërish të lirë nëpër qytet.
Gazetari: Çfarë di në lidhje me konfliktin që kishte familja Hysa dhe vajza e tyre Elena Hysa lidhur me vëllain tuaj Dan Hutra, keni dijeni?
Vëllai i Dan Hutrës: Nuk kam asnjë lidhje, asnjë informacion. Më vjen shumë keq, shpirtërisht me dhimbjen më të madhe, nuk kam fjalë që ta shpreh, jam me to, me dhimbjen e tyre, e di çfarë dhimbje kanë se të thashë kam fëmijë vetë.
Gazetari: Pra ju keni shkëputur çdo lloj marrëdhënie me vëllain tuaj, Dan Hutra dhe siç e thatë edhe më parë nuk e quani më vëllain tuaj?
Vëllai i Dan Hutrës: Kush më njeh mua e dinë të gjithë se unë që në 2007 nuk e quaj vëllanë tim, që në momentin e fundit që i kam thënë ose ndrysho rrugë ose për mua harromë. Dan Hutra kur ka bërë vrasjen e parë të vajzës së pafajshme, unë kam qarë tërë ditën dhe kanë ardhur njerëzit më ka thënë “çfarë ke?”, më ka vdekur i kam thënë vëllai, por jo më thonin e ka kapur policia është në burg, për mua ka vdekur sot.
Gazetari: Ti si vëllai i Dan Hutrës, çfarë apeli i bën drejtësisë shqiptare, për një person që në 20 vite i ka marrë jetën 4 grave dhe ka plagosur 3 të tjera?
Vëllai i Dan Hutrës: Drejtësisë i bëj thirrje në rast se kanë kalamaj dhe e dinë çfarë do të thotë të humbësh një fëmijë, të gjykojnë me ligjin dhe jo me xhepin. Të gjykojnë siç e meriton krimineli, po na çojnë 40 vite mbrapa të kërkojmë Enver Hoxhën, ngrehu Enver dhe vari siç i varte edhe nuk kishte as gjakmarrje, as hakmarrje dhe nuk u shtonin vrasjet.
Gazetari: Çfarë dënimi mendoni se duhet të marrë vëllai juaj?
Vëllai i Dan Hutrës: Nuk mund ta përshkruaj, atë po ta djegësh, po ta shohësh në zjarr dhe t’i hedhësh edhe një çik benzinë më shumë që të digjet më shpejt. Ku ka dënim, më vjen keq, ishalla nuk ndodh dhe e lirojnë prapë, por me këto gjykatësa që kemi, ai një ditë do jetë jashtë, unë kam shumë frikë që një ditë do dalë prapë jashtë ai kriminel. Me këto gjykatësa që marrin lekë, unë kam shumë frikë që ai një ditë do të arrijë të dalë jashtë. Kur ai sot duhet të ishte i varrosur bashkë me ato që i ka vrarë pa faj. I bëj apel drejtësisë të mos merren me punë të kota, në radhë të parë të vendosin drejtësinë, krimineli ndëshkohet, jo vetëm dënohet, ndëshkohet, ndëshkim maksimal. Jetën ta ka dhënë vetëm Zoti dhe ta merr vetëm Zoti./BW
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



