E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nëna e Aleksandër Sadikajt zbulon lidhjen me Edmond Papajn
Lajme

Nëna e Aleksandër Sadikajt zbulon lidhjen me Edmond Papajn

Aleksandër Sadikaj, 27-vjeçari që u ekzekutua në qershor të vitit të kaluar në aksin rrugor Sauk-Teg, duket se ka pasur njohje me biznesmenin Edmond Papa, edhe ky i vrarë me atentat në dhjetor të 2022-shit.

Lidhjen mes dy viktimave të vrasjeve mafioze e ka zbuluar nëna e Aleksandër Sadikajt. Në dëshminë e dhënë para hetuesve, ajo ka treguar se Sadikaj ka qëndruar në hotelin e Papës dy apo tre ditë para se të ekzekutohej.

“Djali im Aleksandër Sadikaj dy apo tre ditë para se të nisej për në Tiranë, ka qëndruar së bashku me disa shokë të tij në hotel ‘Blue Sky’ Sarandë, në pronësi të vëllezërve Kristo Qirici dhe Edmond Papa”, është shprehur ajo.

Gjithashtu nëna e viktimës ka treguar se 27-vjeçari ka qenë i shoqëruar me dy persona atë natë.

“Djali im ka qëndruar në hotel ‘Blu Sky’ në Sarandë së bashku me shtetasit Ledjan dhe Xhoni me origjinë nga Fieri dhe banues në Sarandë. Pak kohë para se të vritej, Aleksandri më ka thënë se automjetin tip Golf me ngjyrë të bardhë e kishte lënë disa ditë për ta rregulluar në fshatin Kurjan në Fier, tek magazinat në pronësi të dajës së Edmond Papës. Ai që i sugjeroi djalit tim për ta çuar makinën në Kurjan, ishte Ledjani, i cili është lidhje e ngushtë shoqërore e vëllezërve Papa”, ka rrëfyer ajo.

Më tej, nëna e Sadikajt ka deklaruar se ka kërkuar të takojë Ledianin, personin që i shoqëronte të birin, por pretendon se ky i fundit nuk ka pranuar.

“Pas vrasjes së djalit tim Aleksandrit, kam kërkuar që të takohem me Ledjanin, të cilit i ka çuar fjalë nëpërmjet Xhinos. Ky i fundit më ka thënë që Ledjani kishte fshirë të gjitha rrjetet sociale dhe nuk dëshironte të më takonte”, ka theksuar ajo.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.