Këlliçi padit në SPAK drejtorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit për Tiranën, Mariglen Qaton
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka paditur ditën e djeshme drejtorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit për Tiranën, Mariglen Qaton.
Mësohet se Këlliçi e ka dorëzuar padinë për drejtorin e Erion Veliajt në SPAK dhe në BKH.
Kandidati i opozitës ka ngritur 10 akuza ndaj Mariglen Qatos, për të cilin ka denoncuar edhe më parë se ka punësuar njerëzit e tij të afër në bashki dhe ka marrë miliona euro tendera nga Bashkia e Tiranës.
Konkretisht, ai e ka paditur drejtorin e IM-së për akuzat: “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “shpërdorim detyre’, “përfitim i paligjshëm i interesave”, “fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “pastrim i produkteve penale”, “përvetësim i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale, ose veprimtaria kriminale”, “Moskallëzim krimi’, “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndërkohë, kujtojmë se disa ditë më parë, Këlliçi denoncoi publikishte se Mariglen Qato ka përfituar 25 milionë euro tendera nga Bashkia e Tiranës, ndonëse është vartës direkt i Erion Veliajt.
Ai i kërkoi Prokurorisë së Posaçme të hetojë korrupsionin, që sipas tij është i faktuar me dokumente të firmosura nga dora e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



