FSHZH i jep Paqsor Buzit 5.8 mln dollarë për disa rrugica në Spille dhe Lushnje

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka mbyllur tenderin që do të rikonstruktojë dy rrugë bregdetare në Spille dhe rrugën e unazës në Lushnje. Ky projekt pritet të kushtojë 5.8 milionë dollarë. Fituese është shpallur firma “GPG Company” sh.p.k., në procedurë morën pjesë të paktën shtatë kompani.

Pjesa e parë e projektit është rikonstruksioni i segmentit të rrugës paralel me vijën bregdetare pas pishave në Spille, ndërtimi i dy segmenteve të saj deri në plazhin “Guri i Lëmuar” në veri dhe në jug deri tek “Hauzi i Vilebashtovës”.

Pjesa e dytë e projektit është rehabilitimi i rrugës Vath Koreshi, rruga e Unazës së Lushnjës. Ku bëhet fjalë vetëm për 9 metra rrugë.

Sikur e theksuam më lartë fituesi është Paqsor Buzi, i cili njihet për abuzimet me tenderat: Në 8 vitet e fundit, sipas të dhënave publike, kompania e tij rezulton se është paguar nga thesari i shtetit në një vlerë marramendëse prej rreth 93 milionë euro.

Këto tendera të fituar kanë qenë kryesisht për rikonstruksionin e qendrave të një sërë qytetesh të mëdha të vendit, si dhe për asfaltime rrugësh apo bulevardesh, ndërtim shkollash, ujësjellësa apo për punime të tjera në infrastrukturë.

Publikuar nga Publik Media