Trump deklaron pafajësinë pas akuzave të rënda – Qëndrim sfidues në sallën gjyqësore
Ish-presidenti amerikan Donald Trump ngriti një qëndrim sfidues pasi deklaroi të martën në një sallë gjyqi në Florida se ishte i pafajshëm. Ai përballet me 37 akuza për krime federale, duke përfshirë mbajtjen e paligjshme të dokumentave të klasifikuar dhe pengimin e drejtësisë.
Pas seancës gjyqësore, ku akuzat iu ngritën zyrtarisht, Trump ndaloi tek një restorant kuban në Miami për të përshëndetur mbështetësit e tij. Më pas, ai foli nga klubi i tij i golfit në Bedminster të Nju Jorkut, vend ku sipas akuzës ka mbajtur një pjesë të dokumenteve sekrete.
“Sot u bëmë dëshmitarë të abuzimit më të keq dhe të neveritshëm me pushtetin në historinë e vendit. Është shumë e trishtueshme: një president i korruptuar arreston kundërshtarin e tij politik me akuza të rreme dhe të sajuara”, tha ai.
Para gjykatës në Majami, një numër i madh mbështetësish dhe kundërshtarësh u mblodhën kur Trump u paraqitën 37 akuza, përfshirë mbajtjen e paligjshme të mbi 100 dokumenteve të klasifikuara, disa prej të cilave lidhen me planet bërthamore dhe mbrojtjen e SHBA-së, si dhe konspiracionin për të penguar drejtësinë. FBI mori dokumentet nga shtëpia e tij në Florida, Mar-a-Lago, gushtin e kaluar, ndërsa hetimi federal drejtohet nga prokurori i posaçëm Jack Smith.
“Përkushtimi i vendit tonë ndaj sundimit të ligjit është një shembull për botën. Ligjet tona zbatohen njëlloj për të gjithë”, u shpreh Smith.
James Sample, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Hofstra, pajtohet me këtë qëndrim, duke e cilësuar si një fitore për sundimin e ligjit. Ai thekson se Trump po trajtohet me shumë kujdes nga Departamenti i Drejtësisë.
Prokurori Smith kërkon një gjykim të shpejtë, por mund të kalojnë muaj deri sa të fillojë gjyqi. Trump kryeson në garën e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ish-prokurori federal Neama Rahmani thekson se Trump do të preferonte shtyrjen e procesit deri pas zgjedhjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



