Agron Duka : Ne politikanët lamë kokrrën e namit, 30 vite po një muhabet
Kreu i Partisë Agrare Agron Duka u shpreh prej 30 vitesh në Shqipëri palët vijojnë të akuzojnë njëri tjetrin për vjedhje votash.
Ndërsa u shpreh kritik ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe propagandës para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi tha se kush voton kundërshtarin do të shkëpuste të gjitha marrëdhëniet me qeverinë, e konsideroi të papranueshme.
Megjithatë, në mesazhin e tij Agron Duka u shpreh i qartë se sistemi zgjedhor ka probleme madhore, por palët nuk mund të vazhdojnë të akuzojnë njërit-tjetrin na vodhën votat.
“Propaganda e Ramës se nëse votoni kundërshtarin politik dhe s’ka asnjë marrëdhënie me qeverinë, e papërshtatshme. Ne kemi 30 vite me këtë muhabet. E dinë të gjithë që administrata u përdor, propaganda e kryeministrit është bërë dhe vazhdon të bëhet nga forca politike që janë në pushtet. S’mund të rrimë të akuzojmë njëri-tjetrin se lamë kokrrën e namit. Me i reshtu të gjithë të majte e të djathtë na dalin të gjithë hajdutë, hajdut na kanë thënë ne, hajdut u kemi thënë edhe ne atyre. Është për të marrë shembull Kosova sepse nuk ka asnjëherë kontestime. Do të jemi populli me i lumtur në botë, që të arrijë një ditë kur të mbarojmë zgjedhjet dhe t’i japim dorën njëri-tjetrin”, tha Duka.
I ndalur tek qyteti i Durrësit dhe menaxhimi, tha se ka pasur shumë probleme dhe ndërtime masive pa rregulla.
“Vija bregdetare duhet të ishte pa pallate, ndër vite janë bërë shumë gabime. Ka probleme me përmbytjet”, tha ai.
Kryetari i PAA Agron Duka foli për situatën politike në vend, duke u ndalur edhe tek fushata e “Nismës Thurje” për të ndryshuar sistemin zgjedhor.
“Koha e duhur që ta fillojmë si lëvizje. Duke e konsumuar me njerëzit mund të arrijmë një produkt final”, tha ai.
Duka thotë se sistemi aktual zgjedhor është një sistem i kalbur dhe se lejon që të rrjedhë vota.
“Ne duhet ta themi si ide, dhe më pas të dalim në vende të tjera dhe në takime me qytetarë. Unë, Dash Shehi dhe Fatmir Mediu kemi bërë takime me deputetë të tjerë. Do të tentojmë të kemi përfaqësues të partive të mëdha. Njerëzit e duan këtë lëvizje dhe në fushatën zgjedhore që kaluam qytetarët kanë qenë të pakënaqur për listat e mbyllura. Ky sistem zgjedhor bën që të rrjedhë vota”, tha ndër të tjera ai.
Rikthimi i Bashës?
Agron Duka: Unë nuk kam tagrin të shprehem për Bashën sepse nuk kam lidhje me partinë e tij, por unë kam thënë që sapo ata kanë filluar ndasitë, ata nuk bashkohen më sepse ndarjet e tyre janë parimore. Shumë më mirë është të bëhen dy formacione dhe ka shumë më tepër mundësi. Nëse këta do të ishin forca të ndara atëherë do të bënin një aleancë, dhe mund të kishin kandidaturë të përbashkët. Duhet të krijojnë një forcë politike, me Bashën apo pa Bashën për mua kjo nuk ka rëndësi. Ne jemi takuar me deputetë të Rithemelimit, tani mbetet të takohemi më kryetarë të partive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



