Statistikat: Po ulet çdo vit numri i studentëve në universitete nga ikja e të rinjëve

Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i studentëve në universitetet publike të Shqipërisë ka pësuar një rënie të konsiderueshme. Në krahasim me vitin 2018, numri i studentëve të regjistruar në universitetet publike ka rënë me 19.7%.
Rënia më e madhe është vërejtur te universitetet e rretheve, si në Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Vlorë. Megjithatë, universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka mbajtur numrin e regjistruarish të ngjashëm me pesë vite më parë.
Në universitetin e Tiranës, që është më i madhi në vend, ka shënuar një tkurrje prej 25% në numrin e studentëve në 5 vitet e fundit. Interesi për Fakultetin e Mjekësisë gjithashtu ka qenë i ulët, me 18% më pak studentë të regjistruar në vitin akademik 2022-2023 krahasuar me vitin 2018.
Ndërkaq, universiteti Politeknik ka shënuar një rritje të lehtë me 1.4%, ndërsa universiteti i Sporteve ka ngjallur më shumë interes dhe ka rritur numrin e studentëve.
Universitetet private kanë regjistruar një rritje të numrit të studentëve, ku rreth 25% e totalit të studentëve janë të regjistruar në to. Kjo tregon se universitetet private kanë arritur të rrisin tregun e tyre dhe të përmbushin një pjesë të boshatisë në arsimin e lartë në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



