E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Qeveria ekzekuton vendimin e Gjykatës së Strasburgut për ish-prokuroren e shkarkuar Antonete Sevdari
Lajme

Qeveria ekzekuton vendimin e Gjykatës së Strasburgut për ish-prokuroren e shkarkuar Antonete Sevdari

Qeveria shqiptare ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me ish-Prokuroren Antonete Sevdari, e cila pak muaj më parë fitoi gjyqin në Strasburg kundër Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që e shkarkoi atë nga detyra.. Ish-prokurorja do të marrë nga shteti shqiptar një shumë prej 24,600 euro, e cila përfshin dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe shpenzimet dhe kostot, plus interesa të thjeshta. Pagimi i shumës do të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës u bë përfundimtar.

Në vendimin e qeverise thuhet se 19 600 do ti marrë në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe në shumën 5 000 euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

“Pagimi i shumës të depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkueses Antoneta Sevdari, bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar”, thotë qeveria.

Po ashtu në vendimin e qeverisë thuhet se “Mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, duke filluar nga data 13.6.2023 deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3 (tre) %”.

VENDIMI

EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE   PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 13.12.2022, PËR ÇËSHTJEN “SEVDARI KUNDËR SHQIPËRISË” (PËR KËRKESËN NR.40662/19)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me                            ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, për çështjen “Sevdari kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.40662/19, përfundimtar në datën 13.3.2023, në shumën 19 600 (nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) euro, në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe në shumën 5 000 (pesë mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
  2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma në datën e kryerjes së pagesës.
  3. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkueses Antoneta Sevdari, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, “Sevdari kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.40662/19.
  4. Pagimi i shumës të depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkueses Antoneta Sevdari, bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
  5. Mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, duke filluar nga data 13.6.2023 deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3 (tre) %.
  6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2023.
  7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.