Atentat në fushatën elektorale, vritet kandidati për president në Ekuador
Kandidati për president i Ekuadorit, Fernando Villavicencio, u vra të mërkurën me tre plumba në kokë në fund të një tubimi politik në Quito.
Villavicencio u qëllua dhe u vra teksa po largohej nga një tubim i fushatës elektorale në një shkollë në veri të kryeqytetit Quito, 10 ditë përpara se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbahej më 20 gusht.
Në këtë atentat kanë mbetur të plagosur edhe persona të tjerë. Prokuroria e Ekuadorit tha se autori i dyshuar u plagos gjatë përplasjes me armë me policinë dhe më pas ndërroi jetë në paraburgim.
Mbështetja për Villavicencio ishte në rritje dhe sondazhet e fundit e renditën atë në vendin e dytë në preferencat e qytetarëve.
Villavicencio, 59 vjeç, ishte gazetar me profesion. Ai ishte pjesë e Asamblesë Legjislative për partinë Aleanca e Ndershmërisë deri në majin e kaluar, kur kandidoi si kandidat i pavarur presidencial për zgjedhjet e parakohshme të planifikuara për 20 gusht. Fushata e tij ishte fokusuar në sigurinë, si dhe nevojën për të reduktuar shkatërrimin e mjedisit dhe për të luftuar korrupsionin nga droga, një temë që ai e trajtoi gjatë karrierës së tij si gazetar.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



