E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Krahas Beqajt e Canit, SPAK po heton edhe 4 emrat të tjerë për sterilizimin
Lajme

Krahas Beqajt e Canit, SPAK po heton edhe 4 emrat të tjerë për sterilizimin

Veç orientimit nga Gjykata e Posaçme për thellimin e hetimeve të SPAK ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrit Shkëlqim Cani, janë dhe katër emra të tjerë, zyrtarë të Komisionit të Prokurimeve Publike, që po hetohen.

“Ora News” ka mësuar se 4 personat që janë në hetim quhen Gentian Këri, me detyrë ish-kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike; Spiro Kuro me detyrë zv/kryetar i këtij komisioni dhe dy anëtarët Leonard Gremshi dhe Hektor Balluku.

Të 4 këta persona, dy ish-ministrat, zyrtarë të tjerë në ministrinë e Shëndetësisë dhe kompaninë koncesionare “Sani Service”, janë duke u hetuar nga SPAK, pas një vendimi detyrues nga gjykata për të thelluar veprimet hetimore.

Sipas këtij dokumenti, 4 zyrtarët e KPP janë personat që në 23 shtator 2015 kanë marë në shqyrtim ankesën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomike, “Action Laundry”, “S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente”, kompani këto që janë renditur humbëse në garën për koncesionin e sterilizimit.

Bashkimi i këtyre kompanive kërkonte nga KPP të shfuqizonte vendimin e muajit maj 2015 të Komisionit të Koncesionit në Ministrinë e Shëndetësisë për kompanitë fituese që udhëhiqeshin nga “Servizi Italia” dhe “Investital” e Ilir Rrapaj.

Sipas ankesës së “Action Laundry” përllogaritej që konsorciumi i udhëhequr nga “Servizi Italia” S.p.a, që u klasifikua i pari, e ofroi shërbimin për 1 vit në vlerën e 1 miliard lekëve, kundrejt ofertës 753 milion lekë të ofruar nga grupi i operatorëve të udhëhequr nga “Action Laundry”, që u rendit e dyta.

Kompania me qendër në Durrës pretendoi se diferenca për 1 vit kap vlerën 250 milionë lekë, ose për 10 vjet një vlerë prej 2.5 miliardë lekë më pak të shpenzuara (17.8 milionë euro).

Por në shtator 2015, KPP-ja ka pranuar pjesërisht ankesën e “Action Laundry” dhe i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të rivlerësojë ofertat, pasi ka vërejtur se mbledhja e pikëve në vlerësimin e parë kishte gabime matematikore.

Katër anëtarët e KPP-së në vendimin prej 46 faqesh argumentonin se: “…në respekt të parimit të transparencës dhe barazisë si dy ndër parimet kryesore të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit, autoriteti kontraktor (Ministria e Shëndetësisë) ka gabuar në mbledhjen aritmetike të pikëve në total… Sa më sipër, Komisioni i Prokurimit Publik gjykon se autoriteti kontraktues në rivlerësimin e procedurës duhet të kryejë edhe mbledhjen e saktë aritmetike të pikëve dhënë operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në këtë procedurë…”.

Pas këtij vendimi detyrues nga KPP, procedura e mbledhjes së pikëve është mbajtur në datën 28 shtator 2015 në Ministrinë e Shëndetësisë. Dhe pikërisht në këtë ditë është shpallur fituesi ku sërish ka qenë bashkimi i operatorëve “Servizi Italia”. Por çuditërisht, këtë herë kjo kompani ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë. Nga 73.98 pikë që kishte fituar në vlerësimin e parë, tani ishte vlerësuar me 91.03 pikë. Pra me një diferencë prej 22 pikësh më shumë.

Në anën tjetër, bashkimi i operatorëve që përfaqësohej nga “Action Laundry” ka marrë 45 pikë, nga 42.83 që kishte marrë në rivlerësimin e parë.

Pas këtij vendimi, në muajin dhjetor 2015, ministri Ilir Beqja ka firmosur kontratën koncesionare, duke kthyer koncesionin e sterilizimit të paisjeve kirurgjikale, kontratën më të shtrenjtë të partneritetit publik privat të qeverisë “Rama” në sektorin e shëndetësisë. Kjo kontratë deri në fund të vitit 2022 i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë, rreth 76 milionë euro.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.