Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se mediat e huaja i bënë jehonë aksionit opozitar në Kuvend që sipas tij “i çorri maskën Ramës”.
Berisha theksoi se opozita i tregoi botës se “kryeministri shqiptar, që herë vishet me atlete e herë me çitjane, votoi në 4 minuta në rekordin më të turpshëm, buxhetin dhe kjo sepse nuk lejon krijimin e komisioneve hetimore parlamentare për veten dhe familjen e tij”.
“Beteja e opozitës është për një qëllim madhor, misioni ynë është shembja e diktuarës. Kjo s’ndodh duke ndaluar një votim, por duke treguar të vërtetën. Opozita i tregoi botës se kryeministri shqiptar, që herë vishet me atlete e herë me çitjane, votoi në 4 minuta në rekordin më të turpshëm, buxhetin dhe kjo sepse nuk lejon krijimin e komisioneve hetimore parlamentare për veten dhe familjen e tij.
Opozita i tregoi botës se Rama i ndalon opozitës të paraqesë ligje. Rama e blindoi si një narkodiktator Parlamentin që opozita të mos kërkojë të drejtat e saj. Kjo jehonë botërore e aksionit opozitar që i çorri maskën Ramës”, tha ish kryeministri.
Berisha ftoi demokratët që t’i bashkohen betejës, siç e quajti ai, për shpëtimin e Shqipërisë.
“Me këtë rast duke shpreh vlerësimin tim më të madh, për betejën pa kthim në parlament të deputetëve të opozitës. Fton çdo demokrat, kudo që ndodhet, në Shqipëri apo diasporë, t’i bashkohet kësaj betejë për shpëtimin e Shqipërisë”, thekson ai.