Tabloidi britanik “Daily Express”: Çdo familje ka një djalë në Mbretërinë e Bashkuar
Shqiptarët jetë luksi kur kthehen nga Anglia.
Mediat britanike i kanë kushtuar sërish një reportazh emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe.

Tabloidi britanik “Daily Express”, në një reportazh nga gazetarit Zak Garner Purkis, kushtuar shqiptarëve, ka treguar përshtypjet e tij dhe se ka takuar shumë njerëz në veri të Shqipërisë, aty ku sipas tij, thuajse çdo familje ka një djalë në Angli.
“Pothuajse sa herë që flisnim me një person që kishte të afërm në Britani, përmendeshin shtëpitë e barit”, theksohet në reportazhin Purkis
Ai rrëfen për jetën e luksit që bëjnë shqiptarët në Shqipëri kur kthehen nga Anglia, makinat e shtrenjta dhe sesa e zakonshme është për ta “shtëpia e barit”, e sidomos dëshira e adoleshentëve për të braktisur shkollën dhe për të shkuar në Angli.
Reportazhi
Teksa Mercedesi i errët me targa britanike kalon në rrugë, në timon shihet një djalë rreth të 20-tave. Përkulet mbrapa dhe nxjerr një cigare nga dritarja.
“Këtë makinën e bleva duke punuar disa muaj në Londër”, na thotë ai duke shtuar me një buzëqeshje në fytyrë, “Punoja në “ndërtim”.
Të gjithë e dinim se kjo nuk ishte e vërteta. Pavarësisht se sa nevojë ka Britania për krahun e punës në ndërtim, nuk kishte mundësi që ai djalë i dobët, veshur me tuta, të fitonte mjaftueshëm para sa për të blerë një Mercedez të tipit të fundit. Ai e siguroi atë nga shtëpia e barit.
Djali i Mercedezit ishte njëri nga shumë djemtë e tjerë “londinez” që pamë gjatë udhëtimit tonë në Shqipëri këtë muaj. Nga malet e veriut, deri në rrugët e frekuentuara të Tiranës, pasuria e tyre shfaqej kudo.
Pothuajse sa herë që flisnim me një person që kishte të afërm në Britani, përmendeshin shtëpitë e barit.
“Gjysma e të afërmve të mi punojnë në ndërtim dhe gjysma tjetër në shtëpi droge,” na tha një adoleshent në një shkëmbim bisede.
Ishte befasuese se sa e zakonshme ishte. Duam apo jo, Britania ka qenë prej vitesh konsumatori më i madh i drogës në Evropë. Tregu ynë i madh dhe fitimprurës është një magnet për tregtarët e drogës nga e gjithë bota, kështu që nuk është çudi që bandat shqiptare, të cilat tashmë kanë marrë përsipër tregtinë e kokainës, të fokusohen në Britaninë e Madhe.
Por ishte tronditëse se si ishte bërë një aktivitet i zakonshëm që dikur konsiderohej krejtësisht tabu nga njerëzit në vendin e ish-bllokut komunist.
Të rinjtë po braktisin diplomat universitare për të kapërcyer Kanalin dhe për të rrezikuar jetën në prodhimin e drogës, ndërsa shqiptarët mesatarë punëtorë luftojnë për të blerë një shtëpi në një treg të shtrembëruar nga biznesmenët e pastrimit të parave.
Nga ana tjetër, opsioni për t’u martuar me një djalë të pasur në shtëpi droge, ka ulur madje shanset që vajzat e reja shqiptare të jenë shënjestër e trafikantëve të seksit.
Nuk është e vështirë të shohësh në një shtëpi droge në Londër një adoleshent shqiptar
Ata zgjohen çdo ditë me burimet e lajmeve të mediave sociale që shfaqin video të të rinjve në fermat e drogës në Mbretërinë e Bashkuar, e që fitojnë para ndërsa ulen duke luajtur në një Xbox dhe duke treguar rrobat e stilistëve të fituara nga ajo që duket si një punë vërtet e lehtë.
Ndërkohë shqiptarët e ndershëm shikojnë të tmerruar. Veçanërisht të rinjtë na treguan herë pas here se sa demotivues ishte të shihnit dikë që nuk i kushtoi vëmendje shkollës duke drejtuar një makinë 50 mijë £ me një vajzë të bukur në sediljen e pasagjerit, ndërsa personi që merrte notat 10, fiton një lëmoshë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



