E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rruga Pogradec-Tushemisht-Doganë, lidhet kontrata 3.48 milionë USD
Lajme

Rruga Pogradec-Tushemisht-Doganë, lidhet kontrata 3.48 milionë USD

Rruga Pogradec-Tushemisht-Doganë, Loti 2 do të rikonstruktohet plotësisht dhe për këtë tashmë është nënshkruar kontrata me një vlerë 3.48 milionë dollarë. Në këtë vlerë përfshihet edhe Tatimi mbi Vlerën Shtuar.

Autoriteti Kontraktor i kësaj procedure ishte Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili njoftoi më herët edhe mbi nënshkrimin e kontratës me operatorin fitues.

Sipas njoftimit zbatimi do të bëhet nga bashkimi i operatorëve “4 A – M” shpk & “GPG Company” shpk. Punimet e përcaktuara në kontratë sa i takon rikonstruksionit të plotë të rrugës parashikohet të mbyllen brenda 6 muajve. Në gare morën pjesë tetë kompani me oferta të ndryshme.

“Projekti synon rikonstruksionin e plotë të rrugës Pogradec-Tushemisht. Punimet e kërkuara përbëhen nga: ndërtimi i rrugëve, rikonstruksioni i rrugëve, punimet e përmirësimit urban, punimet e rehabilitimit të peizazhit.

Rindërtimi i rrugës do të rrisë vlerën e aseteve përreth, do të lehtësojë aksesin dhe lëvizshmërinë e banorëve të zonës dhe aksesin në kala nga turistët.

Punimet e kërkuara sipas kësaj kontrate konsistojnë kryesisht në: Lëvizja dhe gërmimi i dheut, shtrimi dhe ngjeshja e shtresave të nënshtresës së rrugës, punimet e asfaltit, punimet komunale, betoni dhe armatimi dhe punimet e peizazhit” thuhet në specifikimet e publikuara në faqen e FSHZH.

Rruga Pogradec-Tushemisht-Doganë është pjesë e projektit të Konektivitetit të Rrugëve Rajonale dhe Lokale i cili mbështetet nga Banka Botërore prej disa vitesh tashmë. Ai parashikon ndërhyrje në rritjen potenciale të aktiviteteve bujqësore dhe turistike duke përmirësuar aksesin në zonat e përzgjedhura, si dhe forcim të kapaciteteve të bashkive për menaxhimin e aseteve të tyre rrugore.

Ky projekt ka një fond prej 50 milion USD dhe përbëhet nga tre komponentë kryesorë: Punimet civile dhe iniciativat për sigurinë rrugore; forcimi i kapaciteteve për NjQV-të; menaxhimi gjatë zbatimit.

Këto komponentë sipas shpjegimit të projektit synojnë: përmirësimin e aksesit, nëpërmjet rehabilitimit të rrugëve rajonale dhe lokale brenda gjurmës ekzistuese, përmirësimin e elementëve të qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike në bashkitë e përzgjedhura, rritjen e sigurisë rrugore dhe vendosjen e trotuareve, korsive për biçikleta, gjelbërim etj, forcimin e kapaciteteve të Bashkive për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e aseteve të tyre rrugore, mirëmbajtjen e sistemit të informimit gjeografik (GIS) dhe bazën e të dhënave prioritare për rrugët rajonale dhe lokale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.