Tentativa për vrasjen e kryeministrit pas përballjes me Vuçiç në Këshillin e Sigurimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kërcënuar me vrasje në Shkup, ku është pritur nën masa të rrepta sigure.

Sipas RTK-së, Serbia ka bërë përpjekje për të vrarë kreun e qeverisë së Kosovës pas përballjes me Aleksandër Vuçiç në Këshilin e Sigurisë në OKB.

“Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, se menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë”, raporton RTK.

Kryeministri Kurti ka mbërritur në Shkup mbrëmjen e së premtes ku është pritur nën masa të rrepta sigurie, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

Burime për RTK thanë se kërcënimet me jetë ndaj Kurtit kanë qenë serioze.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

Kryeministri Kurti ka mbërritur sot në Kosovë dhe bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka siguruar në mënyrë profesionale gjithë perimetrin e Kurtit, raporton media shtetërore e Kosovës.

Publikuar nga Publik Media