Vasja e 19-vjeçarit në Fier pas sherrit në TikTok, ish-prokurori: Thika ishte marrë për qëllime kriminale
Mësohet se viktima kishte lënë dy orët e fundit të mësimit dhe ishte takuar me autorin e dyshuar Fation Muka me të cilin ka pasur fillimisht përplasje verbale e më pas ka kaluar në përleshje fizike.
Gjatë përplasjes fizike një tjetër i ri ka ndërhyrë për t’i ndarë, por ka mbetur i plagosur nga thika e autorit.
Konflikti ka nisur në rrjetin social TikTok.
“Nga të dhënat e deritanishme viktima ka lënë dy orët e fundit të mësimit. Kanë patur një përplasje verbale që ka agravuar në konflikt fizik. Në vendngjarje kanë qenë disa persona që shoqëronin viktimën dhe autorin Florian Muka. Një prej tyre ka ndërhyrë dhe në tentativë për të parandaluar agravimin e konfliktit është plagosur.
Konflikti ka nisur për shkak të opsionit “like” ndaj një vajze në rrjetet sociale.
“Edhe kjo ngjarje ka si motiv njohjen e përbashkët të dy adoleshentëve me një vajzë dhe mendohet se konflikti ka nisur për shkak të “Like”-ve në rrjetet sociale. Ka qenë çështje flirtimi në rrjetet sociale. Është një nxënës me rezultate shumë të mira. I takon një familje të njohur në qytet dhe me shumë respekt në zonën ku banon. Është djalë i vetëm i dy motrave binjake. Sot është atje ku është ndoshta dhe ndodhej në vendin e gabuar. Në Fier, krimi po ringjallet”, tha ai.
Plaga e viktimës ka qenë fatale dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk është mundur të shpëtohet 19-vjeçari.
Mes tyre ka pasur përplasje verbale dhe disa komente ofenduese në TikTok. Gjithçka ka agravuar në përplasje fizike. Në rrethin e njohjeve të djemve ata përshkruhen si djem të qetë dhe jo problematikë, madje frekuentonin rregullisht shkollën”, tha gazetari.
Ndërsa ish-prokurori Eugen Beci tha se për krimin fajtor është edhe vetë shoqëria ndërsa konflikti ka nisur tre muaj më parë.
Ai shtoi se thika ka qenë me vete për të kryer një veprim kriminal.
“Viktima ka dashur të ndajë sherrin mes personave dhe nuk ka qenë burimi i konfliktit. Autori dhe shoku i viktimës kanë pasur një konflikt tre muaj më parë, para dhjetë ditësh kanë treguar thikat. Kanë pasur një konflikt një ditë më parë, më pas ka agravuar konflikti sot dhe ka përfunduar me një vrasje të një personi që nuk ka pasur lidhje.
Në momentin që policia ka kryer arrestimet, ka rezultuar se vetëm viktima ka qenë nxënës i shkollës, ndërsa autorët e kanë braktisur shkollën. Në rastin konkret ka shumë institucione që duhet të përgjigjen për ngjarjen, kemi shkollën, familjen dhe shoqërinë. Ka tre muaj që ka një konflikt midis adoleshentëve dhe askush nuk ka ndërhyrë.
Thika ka qenë me vete për të kryer një veprim kriminal dhe kemi të bëjmë vërtetë motiv të dobët, por me paramendim. Kjo duhet të vërë në alarm për shoqërinë dhe policia të ushtrojë më shumë kontrolle. Problemet me thika i kanë shumë shtete, por policia duhet të reagojë më shpejt”, tha ai.
Ndërsa ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj u shpreh lidhur me konfliktin mes të rinjve sot në Fier , se duhet të ketë veprime konkrete nga autoritetet përkatëse për të parandaluar këto raste.
Ai u shpreh se duhet që të ketë një qarkullim të informacioneve mes autoriteteve të ndryshme si një masë për rrallimin e këtyre ngjarjeve kriminale.
“Kemi gjithë këtë kohë që politikisht dëgjojmë nga ministri i Brendshëm për sigurinë në shkolla dhe perimetrin e sigurisë. Duhet të shohim sa veprime konkrete ka. Kemi adoleshentë që bëjnë konflikte në rrjetet sociale dhe adoleshentë që mbajnë thikë nëpër xhepa. Territori duhet të kontrollohet nga autoritetet që e kanë detyrë.
Autori i dyshuar nuk besoj se ka qenë një fëmijë engjëll që thjesht mori një thikë dhe kreu atë veprim. Duhet të qarkullohet dhe të kontrollohet informacioni policor. Në një sherr ku përfshihen 10 adoleshentë nuk mund të them se policia nuk mund të marrë informacion”, u shpreh ai.
Avokati Redi Ramaj nga ana tjetër u shpreh se rrjetet sociale nga të cilat janë nisur disa konflikte dhe krime, janë të mbushura me armë, bullizim dhe dhunë.
Ramaj u shpreh se dhuna është kthyer në një mjet normal të jetesës së të rinjve, të cilët ai theksoi se nuk kanë as frikë të konfliktohen në qendër të qytetit pa pasur as frikë nga arrestimi apo pasoja të tjera.
“Rrjetet sociale janë të mbushura me armë, bullizim, dhunë, etj. Adoleshentët mësojnë kryesisht në rrjetet sociale atë pjesën e keqe. Shumë krime kohëve të fundit kanë nisur nga rrjetet sociale. Shohim të rinj që në një konflikt momental shkojnë në qendër të qytetit pa pasur asnjë frikë apo ndrojtje se dikush mund t’i arrestojë. Dhuna është bërë një mjet normal i jetesës së të rinjve. Ekspozimi i disa gjërave që ata i quajnë të mira, si paraja, armët, të jenë më të fortë, të vishen më shtrenjtë dhe kjo u duket si jeta reale, por kjo është jeta që serviret nga disa platforma dhe një shoqëri që ka problem në ekspozimin e këtij lluksi dhe nuk marrin si model diçka që është më e mundimshme apo më e vështirë për t’u arritur”, u shpreh ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



