E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zoti kryeministër,  LARGOJE sa për sy e faqe  ministren  e Shëndetësisë !
Sot

Zoti kryeministër, LARGOJE sa për sy e faqe ministren e Shëndetësisë !

Letër e Hapur për Edi Ramën

I nderuar Zoti Kryeministër,

Nuk kanë fund skandalet e shëndetësisë në vendin tonë. Nuk kanë fund maskarenjtë dhe hajdutët që, pasi i kanë zënë frymën sistemit, vrasin njerëz. Në këtë realitet të trishtë dhe të dhimbshëm, shqiptarët po përballen me një tjetër skandal tronditës në Spitalin Onkologjik. Me prova, përgjime dhe fakte, në duart e drejtësisë ka përfunduar një dosje që vërteton atë që shumëkush e dinte prej kohësh: në QSUT ka mjekë vrasës dhe grupe kriminale të strukturuara që abuzojnë me jetën e njerëzve.

Ky skandal ka nxjerrë në pah jo vetëm kriminalitetin brenda institucioneve shëndetësore, por edhe apatinë dhe papërgjegjshmërinë që vjen nga zyrat e Ministrisë së Shëndetësisë. Znj. Albana Koçiu, ministrja aktuale e Shëndetësisë, që po mbush vitin në atë post, ka treguar një mungesë të thellë lidhjeje me punën dhe angazhimin që kërkon ky rol jetik.

Deri më sot, ajo mbahej mend për skandalin e zjarrit në Urgjencën e QSUT, një ngjarje që kurrë nuk u sqarua plotësisht dhe për të cilën nuk u morën masat e duhura. Në një vend normal, Albana Koçiu do të kishte dhënë dorëheqjen me kohë, por ajo vazhdon të qëndrojë në karrigen e saj, duke shfaqur të njëjtën paralizë paradoksale në përditshmërinë ministrore.

Ndaj largojeni sa për t’u hedhur pak hi syve qytetarëve të zemëruar keq me kasapët e Onkologjikut.

Ndërsa skandali i grupit kriminal  nga spitali Onkologjik mori dhenë, ministrja vazhdoi të shëtiste korridoreve bosh të QSUT, sikur asgjë nuk kishte ndodhur. “Jam e neveritur nga kjo histori,” tha ajo, por nuk bëri asgjë për të marrë përgjegjësi apo për të reaguar me seriozitetin që kërkohet në një situatë të tillë.

Zoti Kryeministër, ky është një skandal brenda skandalit. Ministrja e Shëndetësisë duhet të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë pas zbulimit të këtij grupi kriminal. Asnjë hetim administrativ nuk mund të zëvendësojë nevojën për drejtësi të vërtetë dhe përgjegjësi penale për ata që kanë vrarë njerëz në emër të sistemit shëndetësor. Ju bëj thirrje që të ndërmerrni veprimet e nevojshme për të sjellë drejtësi dhe për të rivendosur besimin e shqiptarëve në sistemin shëndetësor.

Është koha që qeveria juaj të tregojë pak seriozitet ndaj korrupsionit që rrezikon jetën e qytetarëve.

Shqiptarët  le të mbajnë  mend se të paktën një herë të vetme,  një ministër  socialist  dha dorëheqje apo u shkarkua nga një skandal  që të rëngjeth mishin  dhe në një vend tjetër  do kishte ikur dhe kryeministri.

Fundja   ikën një Albanë e vjen një Ogertë!  Respekto minimalisht dhimbjen  e   të afërmve të viktimave  dhe lehtësoje sadopak zemërimin e  opinionit publik.

I sigurtë që nuk pres të ndodhë,  por i detyruar të paktën të të kujtoj për përgjegjësitë e tua  minimale  si kryeministër.

Naim Noka

 

 

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.