Qyteti nën plehra dhe bashkia Tiranë qëndron indiferente
Jemi në pikun e verës dhe temperaturat kanë kaluar mbi 40 gradë. Në këto kushte të nxehta, higjiena dhe pastërtia janë më të rëndësishme se kurrë, por Bashkia Tiranë duket se nuk e ka këtë prioritet. Plehrat e pa mbledhura në lagjet e qytetit po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, ndërsa bashkia nuk ndërmerr asnjë veprim konkret për zgjidhjen e problemit.
Një qytetare e kompleksi “ASL” në rrugën “Kongresi i Manastirit” ka ngritur shqetësimin e saj për situatën alarmante të plehrave. Sipas saj, pastrimi i plehrave është kthyer në një problem serioz për banorët, sidomos tani në verë kur temperaturat e larta i bëjnë plehrat një rrezik të madh për shëndetin publik.
Qytetarja ka bërë denoncim në faqen online të Bashkisë Tiranë për situatën e plehrave dhe rrugët e pashtruara, por përgjigjia që ka marrë është thjesht një përgjigje kompjuterike, pa ndonjë veprim konkret. Ajo thotë: “Kam bërë denoncim në faqen online të Bashkisë, si për plehrat ashtu edhe për rrugët e pashtruara, por përgjigjia e marrë është thjesht kompjuterike. Asgjë konkrete nuk bëhet.”
Nga biseda me qytetarë të tjerë në këtë kompleks, rezulton se situata është e përhapur në shumë zona të Tiranës. Bashkia duket se pret votimet për të dalë në terren dhe për të bërë ndonjë punë, ndërsa denoncimet e tanishme nuk i hyjnë në sy.
Denoncimi i qytetares ilustron qartë situatën: “Përshëndetje! Ndjesë për bezdisjen, por jeni të vetmit që mund të transmetoni fjalën tonë. Te kompleksi ASL përballë SHIK-ut është bërë problem pastrimi i plehrave, sidomos tani në verë që bëhen rrezik për shëndetin e banorëve. Rruga e pashtruar me gropa si në mesjetë po pret si duket votimet për të hedhur një kovë beton. Kam denoncuar edhe në faqen online të bashkisë, por vetëm kthejnë një përgjigje të memorizuar, asgjë konkrete.”
Përtej shqetësimit për plehrat dhe rrugët e pashtruara, situata nxjerr në pah një problem më të madh: mungesën e përgjegjshmërisë dhe reagimit nga ana e institucioneve. Në një kohë kur qytetarët presin që bashkia të jetë aktive dhe efektive në zgjidhjen e problemeve të përditshme, indiferenca e treguar është e pafalshme.
Është e qartë që Bashkia Tiranë duhet të marrë masa urgjente për të adresuar situatën e plehrave dhe për të përmirësuar kushtet e infrastrukturës në qytet. Derisa të merren këto masa, qytetarët e Tiranës do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e një menaxhimi të dobët dhe të papërgjegjshëm. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të ndjekim situatën dhe të bëjmë presion publik për ndryshim./ Publik.al



Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



