E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ndërron jetë në reanimacionin e QSUT-së “i forti” i Vlorës
Lajme

Ndërron jetë në reanimacionin e QSUT-së “i forti” i Vlorës

Ndërron jetë në ambientet e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë i dënuari Fotaq Zaharia, i njohur edhe si një nga “të fortit e Vlorës”.

Drejtoria e Burgjeve bën me dije se 64-vjeçari ka humbur jetën në orën 01:10 të mëngjesit të sotëm (26 Gusht), në Reanimacionin  e QSUT.

“Zaharia ishte shtruar në spital me isuficencë respiratore dhe po trajtohej që prej datës 16 Gusht 2024. Përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore kërkoi transferimin e tij në QSUT për kujdes të specializuar. Drejtuesit e Institucionit, Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) janë njoftuar për hapat e mëtejshëm procedural”, bëhet me dije për rastin, teksa shtohet se “Drejtoria e Burgjeve i ka shprehur ngushëllime familjes”.

Kush është Fotaq Zaharia? 

Zaharia u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me njëçerek shekulli burgim. Ai u arratis nga dhomat e paraburgimit në Vlorë në vitin 2001, për t’u kapur më pas dhe nënshtruar izolimit, por pas disa vitesh shfaqi probleme të theksuara shëndetësore.

Operacioni “Forca e Ligjit”, OFL, nisi një hetimin pasuror ndaj tij katër vite më parë.

Fotaq Zaharia, i cilësuar gjatë viteve 1997-2007 si i forti i Vlorës, për shkak të grabitjeve dhe pengmarrjeve me armë që kryente, kaloi në sitën e verifikimit financiar.

Ndër të tjera Prokuroria arriti t’i provonte akuzën e grabitjes me armë, pengmarrjen e gruas së një biznesmeni në Vlorë dhe “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj shefit të krimeve në Vlorë, Gentian Musabelliut.

Rekursi në Gjykatën e Lartë

Përmes një rekursi në Gjykatën e Lartë, Fotaq Zaharia pretendonte se “mbajtja në kushte ç’njerëzore dhe degraduese, të papajtueshmërisë së gjendjes shëndetësore me burgimin, i rrezikon shëndetin dhe jetën”.  Në janar të 2007 kur edhe u arrestua, rezultonte si një nga 10 personat më të kërkuar në Shqipëri.

Akuza më e rëndë ishte plagosja e shefit të krimeve në Vlorë, Gentian Musabelliu, të cilën e kreu bashkë me Armando Begën, shokun me të cilin ishte arratisur nga qelitë e paraburgimit të Vlorës në vitin 2000.

Fotaq Zaharia, u ndalua në banesën e vjehrrës së tij në Vlorë, dhe nga shkëmbimi i zjarrit me policinë, mbeti i plagosur, pas të cilës erdhën edhe përpjekjet e tij të vazhdueshme me drejtësinë vendase dhe ndërkombëtare.

Nën kushtet e arrestit, ai iu nënshtrua ndërhyrjeve spitalore për plagën në këmbë, por nuk u rikuperua plotësisht.

Zaharia mund shtetin në Strasburg

Në vitin 2015, Gjykata e Krujës urdhëroi kryerjen e një ndërhyrje të dytë kirurgjikale pasi pjesa metalike e vendosur në këmbë po e dëmtonte. Moszbatimi i vendimit shkoi në Gjykatën e Strasburgut, dhe në vitin 2016, kjo gjykatë urdhëroi përkohësisht ekzekutimin e e tij.

As në këtë rast, vendimi nuk gjeti zbatim, pasi mjekësia shqiptare pretendonte se e kishte të pamundur.

Çështja vijoi në Strasburg ku vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, detyroi qeverinë shqiptare ta dëmshpërblente të dënuarin me 15 mijë euro, nga të cilat 13 000 për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 euro, për kostot dhe shpenzimet.

Vendimi për dëmshpërblim

VENDIM PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 9.12.2021, PËR ÇËSHTJEN “FOTAQ ZAHARIA KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR. 45022/16)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr. 8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr. 115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohen shumat, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Fotaq Zaharia, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021.

4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Fotaq Zaharia, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita, kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.

6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.

7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.