Janë zbardhur detaje të reja lidhur me skemën e 3 të rinjve (që u arrestuan mëngjesin e sotëm) për të zhvatur para nga qytetarët nëpërmjet shantazheve.
Të rinjtë operonin në zonën e “Xhamllikut.
Lulzim Kërçiku, 20 vjeç dhe dy të tjerët, 17 dhe 16 vjeç, hapnin profile false, hiqeshin si vajza, komunikonin me persona të ndryshëm dhe linin takime për të kryer marrëdhënie seksuale. Pagesa bëhej më herët, në një vend të caktuar e të fshehtë poshtë pallatit dhe kur “klienti” shkonte në apartamentin ku do të bëhej takimi, nuk gjente njeri.
Gjithashtu, kishin edhe një mënyrë tjetër. Komunikonin me vajza të ndryshme dhe i bindnin t’u dërgonin fotografi intime. Sapo merrnin materialet e kërkuara, i shantazhonin duke u kërkuar deri në 1000 euro që të mos i publikonin.
Deri më tani janë dokumentuar dy raste të kësaj veprimtarie kriminale.