E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Po jetojmë në epokën e kulturës së ambalazhit: Ajo që shitet sot nuk është thelbi, por paketimi
Lajme

Po jetojmë në epokën e kulturës së ambalazhit: Ajo që shitet sot nuk është thelbi, por paketimi

Naim Noka

Po jetojmë në një botë ku dukja është më e rëndësishme se dituria, ku forma mbizotëron mbi përmbajtjen, dhe ku “suksesi” matet me numrin e pëlqimeve e ndjekësve, jo me thellësinë e mendimeve.
Këngëtaret  me buzë të fryra dhe me të pasme të mbushura kanë 500K  ndjekës, ca të tjera që nuk e dinë as vetë çfarë përfaqësojnë në vlerat e shoqërisë kanë disa qindra K-ra ndjekës. Në kulturën e sotme, ajo që është e ambalazhuar bukur ka më shumë vlerë sesa ajo që është thellësisht e vërtetë. Është si një paradë për t’u parë, jo për t’u menduar.

Rrjetet sociale janë kthyer në arenën e perfeksionit të simuluar, ku individi mësohet të reklamojë jetën e tij sikur të jetë një produkt për treg. Adoleshentë, studentë, politikanë e gazetarë, blogere që lepijnë akullore bukur, apo hanë mish të pjekur në saç në Mokër apo Bushtricë, mbushin rrjetin marramendës  me  postimet e shndritshme, udhëtimet luksoze, fotot e kuruara me përpikmëri – këto janë ambalazhet e epokës moderne, që në të shumtën e rasteve fshehin një zbrazëti të madhe brenda tyre. Kjo zbrazëti nuk është vetëm shpirtërore, por edhe intelektuale. Po nuk doli kryeministri duke pirë kafe dhe duke bërë video e selfie si humorist, nuk është intersant, nuk e thithin rrjetet. Kjo modë duket ves dhe sëmundje e çdo përdoruesi të smarfonit dhe rrjeteve sociale.

Në  këte kulturën e ambalazhit, përmbajtja nuk ka më rëndësi. Ajo që vlen është se si dukesh, jo çfarë mendon. Fjalët e mençura nuk i bëjnë më dritë dikujt, nëse nuk janë të shoqëruara nga një selfie tërheqëse.

Një individ i edukuar, i lexuar e i thellë duket më pak “sukses” sesa dikush që ka aftësinë të manipulojë algoritmat për të dalë sa më lart në kërkimet e rrjeteve sociale.

E gjitha kjo na çon në një përfundim të hidhur: jemi më shumë të preokupuar me imazhin sesa me realitetin.
E vërteta është se jeta e mbështetur vetëm në dukje është e brishtë dhe fallso. Ajo mbështetet në miratimin e të tjerëve, në një iluzion i kotë dhe që humbet  e shuhet sapo lëviz gishtin. Ky është realiteti vezullues  që shitet  e jeton brenda smartfonit tonë,  që mbajmë si sytë e ballit, edhe pse po na  dobëson shikimin  pak e nga pak çdo ditë.

Por, deri kur do ta mbajmë këtë maskë të përsosjes? Në çastin që drita e rrjeteve sociale fiket, mbetet një pasqyrë bosh që reflekton vetëm atë që është vërtet e rëndësishme: thelbi. Dhe thelbi, ndryshe nga dukja, nuk ka nevojë për reklamë. Sot është e dielë dhe algoritmi është i prirur drejt ‘tavave të dheut’ pulave të fshatit dhe mishit në hell.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.