Italiani aksidentohet me makinë, 4 shqiptarë i shpëtojnë jetën
Një shtetas italian, ka rrëfyer për mediat përtej Adriatikut se është shpëtiur nga disa të rinj shqiptarë pas një aksidenti që pësoi me makinë, teksa kjo e fundit ishte përmbysur në një kanal me ujë 2.5 metra të thellë.
Më 8 dhjetor, 67-vjeçari italian Loreno Casini udhëtonte me makinë në Via di Chiazzano dhe për shkak të motit të keq humbi kontrollin e mjetit duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës. Këto të fundit u përkulën dhe automjeti ra brenda kanalit.
“U përpoqa të hapja derën, por ajo ishte bllokuar”, tregon i moshuari për mediat italiane. Në atë moment, aty pranë kalon një makinë me të cilën udhëtonin 4 shqiptarë. Ata dëgjuan britmat e 67-vjeçarit që ishte bllokuar brenda makinës “Fiat Punto”.
Makina e katër shqiptarëve kishte ndaluar disa metra tutje. “Po e shtynin, kur e kuptuan që isha edhe unë brenda, – tregon Loreno. – Më thanë që të dilja, të hapja derën, por nuk mundesha…”.
Njëri prej tyre thirri: “Shkojmë ta shpëtojmë. Njëri hapi derën e makinës, ndërkohë dikush tjetër më hodhi rripin dhe më tha që ta kapja. Ndërsa dy personat e tjerë mbanin barrierën anësore të rrugës që kishte rënë”, thotë Loreno Casini.
Shqiptarët e tërhoqën atë me litar dhe me sukses e nxorën nga makina. 67-vjeçari kishte thyer një brinjë, por nuk kishte asgjë tjetër serioze. “Nuk kuptova asgjë në atë moment. Nuk e di as nëse i falënderova”, – shton ai.
Italiani pohon se nëse nuk do të ishte ndihmuar nga shqiptarët, gjithçka do të përfundonte në një tragjedi. Ndërkohë bshkëshortja e tij, Giovanna, i ka konsideruar shqiptarët si “engjëj të zbritur nga qielli”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



