Wizz Air shtyn fluturimin me 20 orë, qytetarët mbeten të bllokuar në Milano: “Mos prisni më nga kjo kompani”


Ankesat ndaj Wizz Air për vonesa dhe anulime fluturimesh duket se nuk kanë të ndalur. Së fundmi, një tjetër rast shqetësues është raportuar në redaksinë tonë, ku qytetarët janë lënë mes katër rrugëve për shkak të një shtyrjeje pa paralajmërim të fluturimit Milano-Tiranë.
Sipas denoncimeve, fluturimi i parashikuar për sot, në orën 23:35, është shtyrë papritur për nesër, të hënën, në orën 19:00, duke lënë pasagjerët në aeroportin Malpensa të Milanos pa asnjë zgjidhje alternative apo njoftim paraprak.
Një qytetar i dëshpëruar ka ndarë situatën e tij:
“Jemi në aeroportin e Milanos, Malpensa, dhe Wizz Air na ka anuluar fluturimin pa dhënë asnjë arsye. Fluturimi është shtyrë për të hënën në orën 19:00. Na kanë lënë mes katër rrugëve.”
Një tjetër denoncues, një nënë e shqetësuar, ka rrëfyer për vështirësitë e vajzës së saj dhe shoqeve të saj:
“Kam vajzën me dy shoqe, kanë pasur për t’u kthyer nga Milano sonte në orën 11 me Wizz Air. Pa njoftim, ua kanë shtyrë për nesër në orën 19:00. E di që nuk keni çfarë bëni, por të paktën mos prisni më nga kjo kompani.”
Rastet e ngjashme të vonesave dhe anulimeve të papritura nga Wizz Air janë të panumërta, me shumë qytetarë që kanë denoncuar situata të ngjashme në të kaluarën. Mungesa e përgjegjshmërisë nga kjo kompani ajrore është kthyer në një problem të përsëritur, duke lënë pasagjerët pa zgjidhje dhe duke shkaktuar stres e vështirësi të mëdha për ta.
Qytetarët janë të këshilluar të mos mbështeten më tek Wizz Air për udhëtime të sigurta dhe pa probleme, duke kërkuar më shumë përgjegjshmëri nga kompania për trajtimin e pasagjerëve të saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



