Gazetari Hoxha flet për videon e “21 janarit”, emërimi i kreut të Policisë së Shtetit dhe përmbytja e Shkodrës me hashash
Gazetari Artan Hoxha, pas paraqitjes së SPAK disa ditë më parë, ka folur dhe njëherë lidhur me materialet që disponon për protestë n e 21 janarit ku 4 persona mbetën të vrarë.
I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” ai ka zbuluar një audio të regjistruar mes gardistëve në godinën e Kryeministrisë, ku thotë se janë komunikimet e kryera para se të jepej urdhri për hapjen e zjarrit.
Këto materiale Hoxha ia ka kaluar dhe SPAK për të ndihmuar në hetimin e kësaj ngjarjeje.
“Deri tani ka dalë vetëm një audio 40-50 sekonda. Është pjesa e urdhrave për vrasjet. Materiali i ri që del sot është para vrasjeve. Është pjesë e materialit të dorëzuar në SPAK. Pjesëtarët e gardës komunikojnë përmes një kanali të veçantë. Tregohet pikërisht momenti kur nisin të gjuajnë në ajër me fishekë manovër. Kjo dëshmon se cdo gjë është bërë me urdhër. Në audio është Ndrea Prendi dhe Dashamir Shehu. Nuk kanë marrë vendime gardistët atë ditë. Nuk mund të thuhet sot se situata i ka dalë nga kontrolli. Ai i kërkon Dashamir Shehit që nëse kalohet gardhi protestuesit do asgjësohen. Janë të përgatitur për të bërë vrasjet. Vrasjet ishin në gjakftohtësi”, u shpreh Hoxha.
Gazetari ka komentuar thirrjen e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit duke theksuar se ky rast është një shembull i shpërdorimit të detyrës.
Hoxha shpjegoi se gjatë periudhës 2013-2017 në Durrës ka pasur shumë zhvillime që lidhen me zyrën e hipotekës, që Çyrbja e ka drejtuar më herët, e cila ndodhet në një zonë me vijën bregdetare më të madhe në vend. “Kjo ka tërhequr vëmendjen e krimit të organizuar, politikës dhe pushtetarëve,” tha ai, duke shtuar se problemi kryesor në Durrës mbetet pronësia.
“Ne kemi të bëjmë me shpërdorim detyre. Duhet të presim një implikim më të madh se sa shpërdorimi i detyrës. Dorëzimi i mandatit të Çyrbjes është diçka që duhet ta shohim,” theksoi Hoxha. Ai përmendi se zyrtarë të hipotekës në Durrës kanë përjetuar kërcënime, përfshirë raste kur kanë shkuar nga jashtë dhe u është vendosur pistoleta në kokë.
Duke iu referuar situatës, Hoxha përmendi një ngjarje të veçantë, kur një grup i fuqishëm nga Tirana i janë drejtuar Çyrbjes te banesa e tij në Shijak, kur ai ishte drejtor i hipotekës. “Një grup nga më të fuqishmit në Tiranë i kanë shkuar Çyrbes te banesa e tij në Shijak kur ishte drejtor i hipotekës. Ishin 4 makina të blinduara dhe e kanë thirrur poshtë shtëpisë,” tregoi ai.
Gazetari ka analizuar emërimin e Ilir Prodës si drejtor i ri i përgjithshëm të policisë, duke theksuar lidhjet e domosdoshme mes këtij institucioni dhe qeverisë.
Hoxha u shpreh se Shqipëria nuk është në një stad ku drejtori i policisë mund të jetë i pavarur. “Ai është i detyruar të bashkëpunojë me kryeministrin, sepse ka mandatin. Politikat e planit qeverisës implementohen në bazë të këtij mandati,” tha Hoxha. Sipas tij, kryeministri duhet të zgjedhë mes atyre që kanë gradën e drejtuesit të parë, ndërsa Proda, siç theksoi Hoxha, nuk ka qenë më parë në një pozita të tillë.
“E kam përshtypjen se Rama e kishte parasysh Prodën për këtë pozita,” theksoi Hoxha, duke përmendur karrierën e tij që ka ecur hap pas hapi, duke filluar nga detyrat më të thjeshta deri në pozitat e larta dhe si nëndrejtor i krimeve në dy qarqe.
Ai gjithashtu vuri në dukje se emërimi i Prodës u bë i dukshëm, sidomos pas sulmeve që ai përjetoi gjatë procesit të zgjedhjes. Hoxha shtoi se në Shqipëri nuk ka asnjë organizatë kriminale më të fortë se kryeministri. “Nuk janë organizatat që përdorin kryeministrin, por kryeministri vazhdon të jetë më i fortë se grupet,” tha ai.
Sipas Hoxhës, krimi i organizuar në Shqipëri nuk është i papërballueshëm, por ai e ka frikë shtetin. “Krimi më shumë mundohet të korruptojë dhe kërcënojë zyrtarë të ulët,” theksoi ai.
Gazetari ka komentuar një raport të fundit të Guardia di Finanza, sipas të cilit hapësira e mbjellë me kanabis në Shqipëri është trefishuar. Hoxha theksoi se rritja e kultivimit të kanabisit ka arritur nivele alarmante, veçanërisht në qarkun e Shkodrës.
Sipas Hoxhës, sasitë e eliminuara këtë vit tregojnë një rritje të dukshme të kultivimit të kanabisit në vend. “Historikisht, në vitet parazgjedhore, sasia e kanabisit rritet. Por këtë vit, mbjellja është rritur edhe për shkak të rritjes së çmimit dhe fluksit të turistëve,” tha ai.
“Sasitë e eliminuara këtë vit tregojnë se ka pasur një rritje të ndjeshme në kultivimin e kanabisit në Shqipëri, sidomos në qarkun e Shkodrës në përmasa të frikshme. Historikisht në vitet parazgjedhore sasia e kanabisit është rritur. Mbjellja është rritur po ashtu për shkak të rritjes së çmimit dhe shtimit të turistëve në vend”, tha ai.
Hoxha përmendi se disa të rinj, përfshirë ata që kanë ardhur nga Anglia, janë rikthyer në Shqipëri për të kultivuar kanabisin. “Mos prisni që ata të kultivojnë domate në zonat malore të Shqipërisë,” theksoi ai, duke ilustruar se ndryshimi në çmime ka ndikuar në zgjedhjen e tyre për kultivim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



