Studentët kanë ikur…
Në një vend ku numri i maturantëve dhe studentëve po shkon drejt tkurrjes dramatike, universitetet shqiptare po përballen me sfida ekzistenciale. Sipas të dhënave të fundit, nga viti 2011, numri i studentëve të regjistruar në vitin e parë ka rënë me 43%.
Në vitin 1990, kur nisi përmbysja e regjimit, ishin gjithsej 8 universitete me 27 mijë studentë dhe trupa akademike numëronte 1806 pedagogë, kurse popullsia e vendit ishte gati 3,2 milionë banorë.
Pas viteve 1990, struktura e ekonomisë ndryshoi me përqasje ndaj tregut të lirë dhe liberalizimi i ekonomisë u shoqërua edhe me hapjen e studimeve në universitete, jo më sipas planifikimit të para viteve 1990, por sipas preferencave të të rinjve.
Kulmi arriti në vitin akademik 2013-2014, kur numri i studentëve arriti më shumë se 176 mijë, në mbi 24 universitete, ku gati gjysma ishin private.
Rritja e numrit të studentëve shkoi në degë që nuk kishin lidhje me tregun e punës. Programe të tilla si shkencat politike, sociologji, punë sociale, komunikim dhe drejtësi morën një numër të lartë studentësh, ndërsa tregu i punës po orientohej në drejtime të tjera si tregtia, shërbimet, ndërtimi, energjia, telekomunikacioni.
Mentaliteti se duhet shkolla e lartë krijoi një inflacion diplomash të cilat nuk u përkthyen në profesione. Shumica e të rinjve të diplomuar në dy dekadat e fundit u punësuan në call center dhe kamerierë në njësitë e shërbimeve, si rrjedhojë e mospërputhjes së shkollës me diplomën.
Zhvillimet në arsimin e lartë në dy dekadat e fundit i kanë bërë më skeptikë maturantët. Nga viti 2016 deri në vitin 2022, një fluks i lartë të rinjsh kanë emigruar dhe ky fenomen, bashkë me rënien e lindjeve vite më parë, po sjell ulje të numrit të studentëve.
Vitin e kaluar, sipas INSTAT, në universitetet vendase ishin të regjistruar rreth 121 mijë studentë dhe rreth 9600 pedagogë.
Çfarë fshihet pas kësaj rënieje masive? Rënia e lindjeve dhe eksodi masiv i të rinjve janë faktori kryesor, ndërkohë që sistemi ynë arsimor duket se është i paaftë të ofrojë një alternativë tërheqëse.
Përballë këtij realiteti, shumë do të mendonin se është koha për panik.
Por ekspertët e arsimit, me një optimizëm të papërgjegjshëm, argumentojnë se tkurrja e numrit të studentëve do të sjellë rritjen e cilësisë.
Si mund të rritet cilësia në një sistem ku pedagogët janë të pa paguar mirë, kur investimet në kërkime shkencore janë pothuajse të papërfillshme dhe ku programet akademike mbeten të njëjta për dekada?
Fakt është se një e treta e maturantëve të sotëm zgjedhin të mos vazhdojnë arsimin e lartë në vend, ose për shkak të mundësive më të mira jashtë Shqipërisë, ose për shkak të mungesës së perspektivës këtu.
Ndërkohë, universitetet mbeten të kapura në një kurbë rënieje të pandalshme, me kuota të paplotësuara dhe programe të cilat tregu i punës nuk i kërkon më.
Të gjitha këto probleme nuk janë të reja. Janë rezultat i një dekade neglizhence nga ana e qeverive që kanë shpallur suksese imagjinare, ndërkohë që realiteti është një dështim i thellë në përputhjen e arsimit me nevojat e tregut të punës.
Universitetet shqiptare janë kthyer në fabrika diplomash të padobishme, ndërsa studentët mbeten pa një perspektivë të qartë për të ardhmen.
Në vend që të flasim për rritje të cilësisë, duhet të fillojmë të flasim për mbijetesën e këtij sistemi të degraduar. Ku janë studentët sot? Ata janë jashtë Shqipërisë, duke kërkuar një të ardhme më të mirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



