Vrasja e Martin Canit, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ogerta Manastirliut
Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ngjarje që tronditi opinionin publik.
Qytetarët janë mbledhur jashtë ambienteve të Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliut.
Shoqëria civile, prindër, fëmijë dhe të rinj janë mbledhur në protestën e dytë për vrasjen e të miturit. Në kangjellat e ministrisë kanë vendosur një pankartë me mbishkrimin: “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”.
“Skandalet vinë e ikin, karrigia mbetet”, “Në këtë vend karrigia ka jetëgjatësi më të madhe se çdo skandal”, “Dorëheqja është për të fortët, të dobëtit mbahen pas karriges”, janë këto disa nga pankartat që qytetarët mbajnë në duar.


Një protestues u shpreh se vendi duhet shkulur nga themelet, teksa shtoi se duhet të këtë reagim institucional dhe mbajtje përgjegjësie. Ai shtoi se duke nisur nga ministria e Arsimit, Drejtoria e Arsimit të Tiranës dhe Drejtoria e Shkollës, askush nuk ka reaguar.
“Fëmijët janë të rritur, por nëse nisemi me premisën që meqë s’kam nuk shkojmë asgjëkundi. Shoqëria ka nevojë për sensibilizim, prandaj jemi përballë kësaj godine. Përderisa nuk ka reagim për mbajtje përgjegjësie, duhet shkulur nga themelet. Shpresoj se duhet të këtë reagim institucional me mbajtje përgjegjësie, duke nisur nga ministria e Arsimit, Drejtoria e Arsimit të Tiranës dhe Drejtoria e Shkollës. Nuk mund të konsiderohet një ngjarje e veçuar, është pasojë e një seri fenomenesh që ndodhin në arsimin shqiptar”, tha një protestues.
14-vjeçari humbi jetën një javë më parë, pasi u godit katër herë më thikë nga bashkëmoshatari i tij. Kujtojmë se javën e kaluar u mbajt një tubim, ku morën pjesë shumë qytetarë.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e hënë gjatë një përleshjeje fizike mes disa adoleshentëve, 200 metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. Autori dhe viktima ishin konfliktuar të premten dhe vijuan zënkën edhe ditën e hënë.
Ndaj autorit të dyshuar, Mario Perlleshit është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



