E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Hagë/Ish-ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi dhe Isni Kilaj dalin sot para Speciales
Lajme

Hagë/Ish-ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi dhe Isni Kilaj dalin sot para Speciales

Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të dalin para gjykatës, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, të cilët akuzohen për ndikimin mbi dëshmitarët. Bashkë me ta akuzohen edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu.

Seanca për Kuçin fillon në orën 10:00, kurse për Kilajn në orën 13:00.
Dje, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk janë deklaruar rreth aktakuzës së ngritur ndaj tyre për ndikimin mbi dëshmitarët. Ndërkaq, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, është deklaruar i pafajshëm.

Hashim Thaçi ishte ai që u paraqit i pari para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Gjatë seancës, Thaçi tha se nuk do të deklarohet, pasi nuk e ka lexuar aktakuzën në tërësi dhe se i duhet ta lexoi që ta kuptoi.

“E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Por, unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd. Prandaj, kërkoj edhe sot – unë respektoj dhe besoj në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – nga të gjithë, kudo që jeni ulur, në cilëndo anë apo në çdo uniformë që jeni në këtë sallë të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, theksoi Thaçi.

Pas deklarimit të Thaçit, gjykatësja kërkoi një pauzë të shkurtër, pasi avokatja e Thaçit kërkoi kohë që t’i japë udhëzime atij. Pas kësaj, Thaçi sqaroi se kur u pyet fillimisht nga gjyqtarja nëse i ka kuptuar akuzat ndaj tij, ai nuk e kishte kuptuar mirë pyetjen. Gjykatësja kërkoi nga palët që të vendosin një datë për vetëdeklarimin e Thaçit.

Mbrojtja tha se është dakord që më 7 janar 2025, Thaçi të vetëdeklarohet rreth aktakuzës. Gjykatësja Marjorie Masselot tha se më vonë do të lëshojë një vendim për këtë çështje.

Gjatë paraqitjes së parë, që zgjati pothuajse 45 minuta, Thaçi theksoi se ai, familja e tij dhe shoqëria kosovare presin përfundimin e procesit ndaj tij dhe tha se pret drejtësi.

Ndërkaq, në paraqitjen e tij të parë para Dhomave të Specializuara, Bashkim Smakaj, tha se dëshiron të shfrytëzojë periudhën 30-ditore për t’u deklaruar për akuzat ndaj tij. Ai theksoi në gjykatore se pas konsultimit me avokatin mori këtë vendim, pasi që pret të marrë edhe materiale shtesë për rastin kundër tij.

Avokati i tij kërkoi lirimin nga paraburgimi dhe tha se Smakaj është i gatshëm të japë garancë 5 mijë euro për lirimin me kusht dhe të dorëzojë pasaportën e tij. Mbrojtja argumentoi se ai nuk paraqet rrezik që të arratiset.

Prokuroria, ndërkaq, tha se nëse Smakaj do të lirohej me kusht, ai do të mund të ndërhyjë te dëshmitarët apo të kryejë vepra të tjera penale.

Gjyqtarja, pas një pauze të seancës, tha se argumentet e mbrojtjes nuk ishin të mjaftueshme për të ndryshuar vlerësimin e saj sa i përket qëndrimit në paraburgim të Smakajt. Ajo tha se ndaj Smakajt qëndron vendimi i saj për paraburgim prej dy muajsh.

Të akuzuarit pranë Dhomave të Specializuara kanë afat që brenda 30 ditësh të deklarohen rreth akuzave që ngrihen ndaj tyre.
Seanca e tretë ishte paraqitja e Fadil Fazliut para Gjykatës në Hagë. Ai tha se para seancës është konsultuar me avokatin e tij dhe u deklarua i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

“Kam biseduar edhe me avokatin para një ore. Por, unë jam i pafajshëm, deklarohem i pafajshëm”, tha ai.

Edhe në rastin kundër Fazliut, gjykatësja nuk pranoi argumentet e mbrojtjes për lirimin e tij nga paraburgimi.
Ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila është bërë publike më 6 dhjetor.

Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e parë të hënën para Gjykatës Speciale, rreth aktakuzës së ngritur ndaj tij për ndikimin mbi dëshmitarët lidhur me një rast tjetër që ndiqet penalisht në këtë gjykatë.

“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një prej momenteve të errëta për mua si njeri i drejtësisë, që e ka profesion dhe mision tërë jetën, dhe jam identifikuar me drejtësi”, ka thënë Kuçi në fjalën e tij para gjykatës, duke shtuar se aktakuzën e konsideron si “prekje të dinjitetit”.

“Drejtësinë si profesion dhe mision do ta vazhdoj edhe nga sot, edhe në një pozitë tjetër, por prapë në funksion të saj dhe të vlerave që jam identifikuar. Më vjen keq për shqetësimet që ua ka bërë kjo akuzë anëtarëve të familjes sime”, ka thënë mes tjerash Kuçi.

“Unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin, Hashim Thaçi. Më lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi që vite të gjata dhe kemi punuar gjatë. Kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi”.

Prokuroria ka thënë se me vonë gjatë ditës do të bëjë kërkesë që Kuçit t’i ndalohet komunikimi me personat që janë pjesë e aktakuzës, dhe persona tjerë që dyshohen se kanë lidhje me rastin.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka thënë se do të marrë vendim pas parashtrimit të kërkesës.

Pjesë e aktakuzës janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliu.

Kilaj do të paraqitet në gjykatë më vonë gjatë ditës. Thaçi dhe Smakaj nuk janë deklaruar një ditë më parë për akuzat që rëndojnë ndaj tyre, ndërsa Fazliu është deklaruar i pafajshëm. Të akuzuarit pranë Dhomave të Specializuara kanë afat që brenda 30 ditësh të deklarohen rreth akuzave.

Gjykata Speciale është institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës. Kilaj, Smakaj dhe Fazliu janë arrestuar më 5 dhjetor, dhe një ditë më vonë janë dërguar në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndaj Kuçit është lëshuar fletëthirrje për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.