Ilir Proda mbledh shefat e komisariateve: Fokusi te siguria, lufta kundër krimit dhe standardet zgjedhore
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi një takim me shefat e rinj të komisariateve të policisë në vend, ku diskutoi objektivat dhe prioritetet kryesore për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e imazhit të Policisë së Shtetit.
Në një fjalim të detajuar, Proda kërkoi angazhim maksimal nga strukturat drejtuese për trajtimin e shqetësimeve të qytetarëve, respektimin e të drejtave të tyre dhe forcimin e luftës kundër krimit.
“Angazhimi juaj maksimal në krye të strukturave që drejtoni për ndjekjen në dinamikë të shqetësimeve dhe problematikave të qytetarëve, për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të tyre, për parandalimin dhe goditjen e krimit të rrugës, parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, shpërndarjes së tyre, lojërave të fatit dhe krimeve mjedisore është thelbësor,” deklaroi Proda.
Ai vuri gjithashtu theksin te siguria në shkolla, rritja e performancës së efektivëve të policisë dhe përmirësimi i etikës së komunikimit me qytetarët.
Fokus te zgjedhjet dhe standardet ndërkombëtare
Në përfundim të takimit, Proda theksoi rëndësinë e ruajtjes së standardeve të larta gjatë procesit zgjedhor, duke u kujtuar drejtuesve të policisë se zbatimi i ligjit mbetet i vetmi mision.
“Ne jemi punonjës policie dhe kemi një mision – zbatimin e ligjit. Policia e Shtetit ka vendosur standarde të certifikuara nga ndërkombëtarët për një qëndrim korrekt gjatë proceseve zgjedhore, dhe ky standard duhet të ruhet me përkushtim,” u shpreh ai.
Takimi u mbyll me mesazhin e qartë të Drejtorit të Përgjithshëm për përgjegjshmëri maksimale dhe përkushtim në detyrë nga të gjitha strukturat e policisë në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



