E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria në vigjiljen e lindjes së Krishtit
Lajme

Shqipëria në vigjiljen e lindjes së Krishtit

 

Naim Noka

Në këtë ditë shprese dhe gëzimi, kur bota kremton lindjen e dritës, Shqipëria rënkon në errësirën e saj. Ekonomia është copë-copë, drejtësia është copë-copë, arsimi dhe mjekësia janë ku thërret qameti. Korrupsioni ka lëshuar rrënjë aq thellë sa çdo gjë që ndërtohet duket sikur bie përpara se të ngrihet.

Por më e rënda është se ka humbur sistemi i vlerave dhe ka ndodhur më e keqja: destrukturimi i shoqërisë. Mund ta quajmë pa frikë një paloshoqëri, ku patronazhimi elektoral, manipulimi dhe varësia nga shteti nuk janë thjesht simptoma; janë pasoja të një projekti të mirëorganizuar në tre mandate të kryeministrit aktual.

Çdo shtresë sociale, duke përfshirë edhe opozitën e madhe apo të voglat, është e varur nga qeveria: kapitali, prona, tregjet, familja, morali dhe deri tek vetë liria e individit janë zhveshur nga autonomia e tyre. Jemi kthyer në konsumatorë të varfër e të rëndomtë.

Më shumë se gjysma e atyre që kemi mbetur mezi sigurojnë mbijetesën.
Pikërisht kjo masë e madhe, e dëshpëruar dhe e nënshtruar, ka në dorë fatet e vendit dhe të palodemokracisë.
Udhëheqësi, i cili “i di të gjitha”, nuk bën kurrë gabime – të paktën sipas propagandës.
Padishahu  kalëron nga fitorja në fitore, duke ndjekur devizën e ushtarit të mirë Zhvejk: “Ç’më duhet mua çfarë them e bëj unë?!” Tellallët online dhe ata me licenca kombëtare japin dozën fatale të shpëlarjes së trurit të një shoqërie që veç vegjeton.

Por ndoshta pyetja më e rëndësishme që duhet të shtrojmë është kjo: A jemi shndërruar në kavie eksperimentale si shoqëri?
Për 45 vite jetuam nën një regjim diktatorial, ku frika dhe urdhri ishin ligji i vetëm. Për 35 vite të tjera kemi jetuar në atë që mund të quhet pseudodemokraci, një sistem që shfrytëzon fasadën e lirisë për të ruajtur të njëjtat struktura manipulimi dhe kontrolli.
Sa gjatë do të qëndrojmë nën efektin errësues të këtij eksperimenti? A mund të mbijetojë një shoqëri pa vlera të qëndrueshme dhe pa një sistem të drejtë?
Pas 35 vitesh jemi në pikën fundore, ku shteti kontrollon gjithçka.
Nuk ka vend për drejtësi apo konkurrencë të ndershme. Në këtë sistem eksperimental, krimineli është i varur nga qeveria dhe qeveria nga krimineli dhe bandat. Madje, janë pikërisht këta që na caktojnë edhe deputetin e listës që duhet të votojmë. Në këtë realitet, aspiratat për liri dhe zgjedhje të lira duken si ëndrra të largëta.

E megjithatë, Krishtlindja mbetet simbol i ringjalljes shpirtërore dhe i shpresës. Në këtë vigjilje, le të shpresojmë se, me përpjekje të përbashkëta, sot një vit do kemi bërë diçka për të ndryshuar sadopak këtë realitet të zymtë.

Gëzuar Krishtlindjen!

Le të jetë kjo ditë një fener drite në rrugëtimin tonë të gjatë drejt drejtësisë, lirisë, dinjitetit dhe rikthimit të sistemit të vlerave, duke nisur nga familja.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.