E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Deputeti socialist Klosi në ndihmë të  oligarkëve, propozon heqjen e tatimit për hotelet e luksit
Lajme

Deputeti socialist Klosi në ndihmë të oligarkëve, propozon heqjen e tatimit për hotelet e luksit

Propozimi i deputetit të Partisë Socialiste, Blendi Klosi, për të përjashtuar nga tatimi mbi fitimin hotelet dhe resortet luksoze me katër dhe pesë yje për një periudhë dhjetëvjeçare, ka ngjallur reagime të ashpra dhe indinjatë në mesin e qytetarëve dhe sipërmarrësve të vegjël.

Kjo masë, e cila synon të inkurajojë investimet në sektorin e turizmit luksoz, shihet si favorizim i hapur për oligarkët që dominojnë këtë industri, ndërsa bizneset e vogla vazhdojnë të përballen me barrë të rëndë tatimore dhe mungesë mbështetjeje nga shteti.

Në një kohë kur qeveria pretendon të promovojë zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja, është e papranueshme që lehtësitë fiskale t’u ofrohen vetëm strukturave luksoze, duke lënë pas dore bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare. Dyqanet e vogla, restorantet familjare dhe shërbimet lokale krijojnë vende pune dhe mbështesin ekonominë lokale, por përballen me një sistem fiskal të ndërlikuar, inspektime të rrepta dhe gjoba të shumta, pa asnjë formë lehtësimi apo subvencioni nga shteti.

Kjo politikë diskriminuese thellon pabarazinë midis të pasurve dhe të varfërve, duke favorizuar një grup të vogël individësh me lidhje të ngushta me qeverinë, ndërsa shumica e qytetarëve dhe sipërmarrësve të vegjël mbeten të braktisur dhe të zhytur në borxhe. Nuk është hera e parë që qeveria e Edi Ramës akuzohet për lidhje të ngushta me oligarkët; nga kontratat e mëdha për ndërtimin e rrugëve te koncesionet e dyshimta në shëndetësi, gjithmonë duket se janë të njëjtët emra që përfitojnë.

Në vend që të ofrojë “dhurata bujare” për hotelet e luksit, qeveria duhet të fokusohet në krijimin e një mjedisi të favorshëm për të gjitha bizneset, duke ofruar lehtësime fiskale dhe mbështetje konkrete për sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe të sigurohet mirëqenia e të gjithë qytetarëve shqiptarë, jo vetëm e një pakice të privilegjuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.