Berisha: Edi dhe Linda Rama armiq të fjalës së lirë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në ceremoninë për shënimin e 34-vjetorit të lindjes së gazetës Rilindja Demokratike, gazetës së parë opozitare në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi rëndësinë historike të gazetës, duke e cilësuar atë si organ të mendimit të lirë dhe intelektual, përtej lidhjeve me Partinë Demokratike.
“Vërtetë, Rilindja Demokratike u shpall si organ i PD-së, por ajo ishte gjithmonë organ i mendimit të lirë, i mendimit intelektual dhe universal”, tha Berisha, duke nënvizuar rolin e saj të rëndësishëm në forcimin e shtypit të pavarur dhe kritik në Shqipëri.
Në vijim, Berisha akuzoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe bashkëshorten e tij, Linda Rama, duke i quajtur ata si “armiqq të fjalës së lirë.” Lideri i opozitës u shpreh: “Edi dhe Linda Rama janë armiq të fjalës së lirë. 36 vite pas asaj kohe, pinjolli i tij firmos të varë në litar Tik Tokun.”
Për Berishën, komentet dhe sjellja e qeverisë, sidomos në lidhje me mediat dhe përdorimin e teknologjive moderne, paraqesin një rrezik për lirinë e shtypit dhe përhapjen e mendimeve të pavarura. Gjatë ceremonisë, u kujtua gjithashtu kontributi i gazetës Rilindja Demokratike në periudhën e ndërrimeve të mëdha politike dhe zhvillimeve shoqërore që sollën transformimin e vendit.