Miliona dollarë për një drejtësi të kapur

Skandali i pagesave në “Shoqërinë Civile”

Dr Azis Jata

Shqipëria, vendi ku qytetarët mezi mbyllin muajin me paga minimale dhe të rinjtë largohen çdo ditë drejt emigracionit, duket se është parajsë financiare për një pjesë të vogël të elitave të “shoqërisë civile”. Në krye të kësaj liste që shkaktoi bujë ditët e fundit qëndron një emër që ka krijuar gjithmonë debat: Delina Fico, e cila ka përfituar rreth 1 milion dollarë vetëm si rrogë, nga fondet e USAID-it për Reformën në Drejtësi në Shqipëri.

Të dhënat tregojnë se Delina Fico ka marrë një pagë mesatare prej 100 mijë dollarësh në vit, ndërsa ka shërbyer si Drejtore e Programeve të Shoqërisë Civile pranë East-West Management Institute (EWMI), një organizatë e lidhur ngushtë me Fondacionin “Shoqëria e Hapur” të George Soros. Fondet e përfituara nga kjo organizatë kanë ardhur përmes një kontrate me USAID-in në vitin 2016, me vlerë 9 milionë dollarë, për mbështetjen e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Rreth 10% e këtij fondi ka përfunduar si rrogë për zonjën Fico, një shifër që tregon qartë se shoqëria civile është kthyer në një biznes personal për disa, ndërsa reforma, për të cilën janë derdhur miliona dollarë, mbetet një projekt i dështuar dhe i manipuluar politikisht.

Nga reforma në Drejtësi te Kapja e Gjyqësorit

Ky skandal nuk është vetëm një çështje pagash të larta. Revista amerikane “Judicial Watch” ka publikuar dokumente që zbulojnë rolin e Ambasadës Amerikane dhe ish-ambasadorit Donald Lu në favorizimin e “East-West Management Institute” për të përfituar këtë kontratë milionëshe. Dokumentet tregojnë se fondet e USAID-it janë përdorur për të mbështetur projektet e Fondacionit Soros në Shqipëri, veçanërisht në përpjekjen për t’i dhënë qeverisë socialiste kontroll më të madh mbi sistemin gjyqësor.

9 milionë dollarë për fushatën “Drejtësia për të gjithë” – një slogan që tingëllon ironik për qytetarët shqiptarë, të cilët përballen me një drejtësi të kapur dhe një gjyqësor që shërben më shumë interesat e pushtetit sesa të drejtësisë së vërtetë.

Rroga dhe “ekstra” si eksperte në projekte të tjera

Por shifrat nuk ndalen këtu. Përveç pagës si drejtuese e EWMI, Delina Fico ka përfituar pagesa të tjera si “eksperte” në organizata të financuara nga e njëjta strukturë që ajo drejtonte. Këto të ardhura shtesë shkojnë në mijëra dollarë, të përfituara nga projekte të tjera pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Partners Albania for Change and Development dhe Partners for Democratic Change – të gjitha organizata që kanë marrë fonde të konsiderueshme nga USAID dhe nga rrjetet e lidhura me Fondacionin Soros.

Këto të dhëna nxjerrin në pah një problem të madh me sistemin e fondeve të shoqërisë civile në Shqipëri, ku drejtuesit e disa organizatave kanë arritur të përfitojnë shuma të jashtëzakonshme, ndërsa projekti që supozohej të mbështeste një sistem gjyqësor të pavarur ka përfunduar në duart e të njëjtëve njerëz që kontrollojnë rrjetin e financimeve.

Shoqëria Civile si një biznes elitar

Paga të tilla janë të papërfytyrueshme për shumicën e shqiptarëve. Ndërsa qytetarët përballen me një sistem të ngurtë dhe të kapur të drejtësisë, ata që supozohet të mbrojnë të drejtat qytetare dhe të mbështesin përmirësimin e sistemit gjyqësor përfitojnë miliona përmes projekteve të maskuara si “mbështetje për reformën”.

Në vend që të jetë një aktor i pavarur, një pjesë e shoqërisë civile është kthyer në një mjet të përdorur për qëllime politike dhe për të mbështetur pushtetin ekzistues, ndërsa miliona dollarë kalojnë nga një projekt në tjetrin, pa ndonjë përmirësim real në sistemin e drejtësisë.

Ky skandal kërkon një hetim të thellë dhe transparencë të plotë mbi mënyrën se si janë përdorur këto fonde. SPAK dhe institucionet e tjera duhet të marrin seriozisht këtë çështje, sepse ajo nuk është më thjesht një problem i fondeve të shoqërisë civile, por një simbol i dështimit të Reformës në Drejtësi, një reformë që tani është një relike e propagandës, dhe jo një realitet për qytetarët shqiptarë.

Nëse duam të ndërtojmë një sistem drejtësie të besueshëm dhe të pavarur, fillimi duhet të jetë transparenca në fondet e përdorura për këtë qëllim dhe mbajtja përgjegjëse e atyre që e kanë trajtuar këtë reformë si biznes personal.

 

Publikuar nga Publik Media