Greqi/Dy vite nga tragjedia e përpalsjes së trenave, protesta masive

Në gjithë Greqinë janë thirrur protesta ndërsa sot shënohen 2 vite nga tragjedia e përplasjes së dy trenave në aftësi të Larisës. Përplasja fatale e 28 shkurtit 2023 u mori jetën 57 personave, mes tyre edhe 6 shqiptarë.

Protestat pritet të shtrihen në gjithë vendin me thirrjet për drejtësi. Në shenjë mbështetjeje, një pjesë e madhe e dyqaneve dhe hoteleve do të qëndrojë e mbyllur ditën e sotme. Familjarët e viktimave i kanë bërë thirrje publikut që të marrë pjesë në tubim.

Tragjedia u përkujtua edhe nga Kuvendi, ku kryetari Nikitas Kaklamanis mbajti një fjalim përvjetor, ndërsa të gjithë deputetët mbajtën 1 minutë heshtje.

Në Athinë, tubimi do të fillojë në orën 11:00 me qendër në sheshin Sintagma, dhe në Selanik gjithashtu në orën 11:00. Protestat nga qytetarë grekë pritet të organizohen edhe në vende të tjera si në Bruksel, ku tubimi do të fillojë në orën 18:00 në Place Luksemburg përpara Parlamentit Evropian. Në Romë protesta do të zhvillohet pranë stacionit qendror të trenit, duke filluar nga ora 16:00, ndërsa një protestë është parashikuar edhe në Londër.

Linjat janë pezulluar në të gjithë rrjetin hekurudhor, duke përfshirë hekurudhën periferike të Athinës. Shërbimet e metrosë për dhe nga aeroporti i Athinës nuk do të funksionojnë gjatë gjithë ditës. Fluturimet e aeroportit do të anulohen ose shtyhen dhe do lejohen vetëm fluturime për emergjenca shëndetësore apo fluturime të krerëve të shtetit.

Sindikata e Taksistëve të Atikës (SATA) u ka bërë thirrje taksistëve që qytetarëve që duan të marrin pjesë në protestë t’ua ofrojnë lëvizjen me taksi falas.

Si ndodhi ngjarja

Përplasja tragjike e dy trenave kokë më kokë, trenit të mallrave dhe trenit të pasagjerëve në afërsi të Larisës, u mori jetën 57 personave. Treni Intercity 62 i linjës Athinë-Selanik po kalonte pranë stacionit të Larisës pak para orës 23:00 të së martës (28 shkurt) , me 341 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 13 anëtarësh. Pak minuta më vonë, ndodhi tragjedia. Pavarësisht se linja hekurudhore Athinë-Selanik është e dyfishtë, treni i pasagjerëve u përplas kokë më kokë me një tren mallrash që udhëtonte në drejtim të kundërt, duke bërë që tre vagonët e parë të dilnin nga shinat dhe të përfshiheshin nga flakët.

Publikuar nga Publik Media