Bardhi denoncon “Tigrat” e Vlorës: SPAK të hetojë Belindën për aferën 80 mln euro të Ballukut

 

I shpalli fitues ‘Excelarate Energy’ kur tenderi ishte ende i hapur

Gazment Bardhi dorëzon prova në SPAK për Belinda Ballukun: Afera e termocentraleve lëvizës ka vjedhur 80 milionë euro

Tiranë – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka zbardhur provat e dorëzuara në SPAK një ditë më parë për atë që ai e cilëson si një aferë korruptive në drejtimin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Sipas tij, qeveria ka shpërdoruar të paktën 80 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes një skeme abuzive me termocentralet lëvizës.

Tri provat kryesore që faktojnë korrupsionin

Bardhi ka renditur disa fakte që sipas tij dëshmojnë se kjo aferë nuk ka pasur asnjë justifikim real dhe ka qenë një skemë e mirëmenduar për të favorizuar një kompani të paracaktuar.
1. S’kishte emergjencë energjetike:
– Bardhi deklaroi se qeveria nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për mungesë afatgjatë të energjisë. Kjo e rrëzon justifikimin e përdorur për të shmangur rregullat normale të tenderimit.
2. Vendimi për anijet termike ishte i pavlefshëm:
– Balluku kishte deklaruar publikisht se anijet termike nuk do të prodhonin energji për të paktën 2 vite. Kjo do të thotë se qeveria ka shpallur një “emergjencë” për një investim që s’do të hynte në punë për dy vite, duke vënë në dyshim urgjencën e procedurës.
3. Tenderi ishte një farsë, fituesi dihej që më parë:
– Bardhi zbuloi se dokumentacioni i tenderit kishte afate të ndryshme në shqip dhe në anglisht, duke e bërë të pamundur konkurrencën reale dhe duke favorizuar një operator të caktuar.
– Ai publikoi një fakt të rëndë: kompania fituese, Excelerate Energy, kishte raportuar në SHBA që në janar 2022 se ishte shpallur fituese në Shqipëri, kur tenderi formalisht ishte ende i hapur.
– Pala shqiptare, e përfaqësuar nga Balluku, e shpalli fituesin dy muaj më vonë, në mars 2022, duke konfirmuar se gjithçka ishte e paracaktuar.

Bardhi: Balluku dhe ligji nuk takohen askund

“Besoj se askush nuk ka më dyshime se Belinda Balluku dhe ligji janë dy pika që nuk takohen askund,” tha Bardhi, duke shtuar se kjo aferë nuk është rastësore, por një skemë e përsëritur nga qeveria për të përfituar në kurriz të qytetarëve.

SPAK përballet me një tjetër dosje të rëndë

Denoncimi i Bardhit vjen në një moment kur SPAK ka ndërmarrë një sërë hetimesh ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë, duke përfshirë ministra dhe drejtorë të rëndësishëm. Tashmë mbetet për t’u parë nëse ky denoncim do të çojë në hetime të thelluara ndaj zv.kryeministres dhe nëse drejtësia do të veprojë me të njëjtën forcë si në rastet e mëparshme.

A do të jetë Belinda Balluku emri i radhës në listën e të akuzuarve nga SPAK? Kjo është pyetja që pritet të marrë përgjigje në ditët në vijim.

Publikuar nga Publik Media