Zgjedhjet e 11 Majit: Një fushëbetejë e re për politikën shqiptare
Albert Mero
Zgjedhjet e 11 Majit po shndërrohen në një moment vendimtar për të ardhmen e politikës shqiptare, jo vetëm për balancën e pushtetit midis Partisë Socialiste dhe opozitës, por edhe për konfigurimin e brendshëm të partive kryesore. Lëvizjet e fundit të kryeministrit Edi Rama në përzgjedhjen e kandidatëve dhe strategjia e opozitës për të riformatuar grupin e saj parlamentar, tregojnë se kjo betejë do të ketë pasoja afatgjata.
Lista e re e PS: Një tronditje e madhe në grupin parlamentar
E mërkura pritet të sjellë publikimin e një liste që do të ndryshojë në mënyrë drastike përbërjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Burime pranë selisë rozë tregojnë se më shumë se gjysma e deputetëve aktualë nuk do të jenë më pjesë e listave, ndërsa vetëm 20% e ministrave janë përfshirë në listën e mbyllur. Ky është një sinjal i qartë i Ramës për një riformatim të madh të skuadrës së tij, duke i dhënë prioritet figurave të reja dhe duke larguar ata që, për një arsye ose tjetër, nuk kanë përmbushur pritshmëritë.
Një tjetër lëvizje e pazakontë është urdhri për dorëheqjen e kryebashkiakëve të Matit, Tepelenës, Beratit, Kukësit, Dimalit dhe Roskovecit. Kjo strategji ka dy dimensione kryesore:
1. Dimensoni elektoral – Në qytete të vogla, ku lidhjet tribale dhe rrjetet e ndërtuara nga kryebashkiakët kanë ndikim të madh, ata mund të mobilizojnë më shumë vota për PS.
2. Dimensoni taktik – Kjo lëvizje lidhet edhe me frikën nga hetimet e SPAK. Kandidimi i tyre mund të interpretohet si një tentativë për t’i dhënë imunitet politik, duke i mbrojtur nga një valë e mundshme arrestimesh. Nga ana tjetër, kjo strategji krijon një hapësirë për zgjedhje të reja lokale në bashkitë përkatëse, duke bërë që fushata e PS të mos përqendrohet vetëm në Tiranë, por të përhapet në të gjithë vendin.
Nëse ky model do të aplikohet edhe në Tiranë, atëherë është e qartë që pas zgjedhjeve do t’i kërkohet kryebashkiakut aktual të dorëzojë mandatin, duke i hapur rrugë një kandidati të ri.
Lëvizjet strategjike të socialistëve në qarqe
Duke parë zonat ku janë vendosur kryebashkiakët në lista, është e qartë se PS ka menduar për një strategji të personalizuar për çdo qark:
• Në Mat, Agron Malaj do të sfidojë opozitën në një bastion të fortë të saj, ku PD ka shpresa për rikuperim.
• Në Memaliaj, Tërmet Peçi synon të tërheqë votuesit që tradicionalisht i përkasin PD-së, për t’i orientuar drejt PS.
• Në Berat dhe Dimal, kryebashkiakët socialistë janë pozicionuar për të frenuar ndikimin e Lefter Maliqit, një kundërshtar që konsiderohet problematik për mazhorancën në këtë qark.
Dinamika e zgjedhjeve brenda PS: Një fushatë “primare” në terren
Ndryshe nga opozita, e cila ka një qasje të mbyllur për listën e saj të kandidatëve, socialistët po ndjekin një model tjetër. PS po shfrytëzon sistemin zgjedhor për të krijuar një “primare të hapur” në terren. Edhe pse listat janë të mbyllura, socialistët kanë edhe një listë të hapur, ku kandidatët e rinj duhet të garojnë për të marrë sa më shumë vota në zgjedhje.
Kjo nënkupton që brenda vetë Partisë Socialiste do të zhvillohet një betejë e vërtetë për mbijetesë politike. Deputetët e rinj nuk do të kenë të sigurt vendin e tyre në Parlament, pasi do të varen nga votat e marra për listën e hapur.
Në një farë mënyre, ky model krijon një formë të re të “primareve reale” brenda PS, ku garojnë socialistët me njëri-tjetrin për të fituar mbështetje popullore. Ndryshe nga PD, ku primaret u zhvilluan brenda partisë dhe pa ndikim nga votuesit e tjerë, modeli i PS e teston realisht popullaritetin e kandidatëve gjatë fushatës.
Autonomia e drejtuesve politikë në qarqe
Megjithatë, modeli i zgjedhur nga PS nuk është pa rreziqe. Edi Rama i ka lënë autonomi drejtuesve politikë në qarqe për të përzgjedhur kandidatët, por kjo mund të sjellë një efekt anësor të padëshiruar. Shpeshherë, këta drejtues zgjedhin kandidatë që janë të lojalizuar me ta, duke favorizuar individë që u binden dhe jo ata që kanë peshë politike reale.
Nëse këta drejtues politikë nuk arrijnë të zgjedhin ekipet e duhura, PS mund të përballet me një grup parlamentar të dobët dhe të varur nga interesat e ngushta të individëve. Ky është një test jo vetëm për fushatën elektorale, por edhe për të ardhmen e përfaqësimit socialist në Kuvend.
Zgjedhjet e 11 Majit nuk janë thjesht një garë midis PS dhe PD, por një transformim i plotë i skenës politike shqiptare. Socialistët po eksperimentojnë me një model të ri zgjedhor, ku fushata do të shërbejë si një provë për kandidatët e rinj. Nga ana tjetër, opozita është ende në një fazë përplasjesh të brendshme, ku grupimi i Berishës po negocion për të ndërtuar një listë të re kandidatësh.
Në këtë betejë, PS ka avantazhin e strukturave të saj të fuqishme dhe të një strategjie të qartë. Megjithatë, suksesi i saj do të varet nga aftësia për të menaxhuar rivalitetin e brendshëm dhe për të krijuar një grup të fortë parlamentar. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë rreziku më i madh për socialistët nuk do të vijë nga opozita, por nga vetë zgjedhjet që po organizojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



