Piloti i një avioni të EasyJet ja fut gjumit në fluturim, alarmi shpëton 190 pasagjerë

 

Një aksident ajror tragjik është shmangur për pak sekonda në Egjipt, kur një avion Airbus i kompanisë EasyJet, me 190 pasagjerë në bord, u gjend në një situatë kritike për shkak të një ngjarjeje të pazakontë në kabinën e pilotit.

Sipas raportimeve, piloti i avionit ishte zënë nga gjumi, duke lënë avionin në autopilot. Situata u bë alarmante kur avioni filloi të afrohej në mënyrë të rrezikshme me një mal. Fatmirësisht, sistemi paralajmërues i përplasjes – një mekanizëm sigurie i instaluar në kabinë – u aktivizua në momentin kritik. Alarmi e detyroi pilotin të zgjohej dhe të merrte kontrollin, duke shmangur katastrofën në sekondat e fundit.

Ngjarja ka ndodhur gjatë një fluturimi me destinacion Hurghada-n, një prej qyteteve më të njohura turistike në bregdetin e Detit të Kuq. Për fat të mirë, asnjë nga pasagjerët nuk është lënduar, por rasti ka ngritur shqetësime të mëdha mbi sigurinë ajrore dhe lodhjen e pilotëve gjatë fluturimeve të gjata.

Autoritetet ajrore kanë nisur një hetim mbi incidentin, ndërsa ekspertët e aviacionit paralajmërojnë për nevojën e rregulloreve më të rrepta mbi kohën e punës dhe pushimit të pilotëve për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

Publikuar nga Publik Media