Një zjarr ka shpërthyer në një nënstacion në perëndim të Londrës, duke çuar në një ndërprerje të energjisë elektrike të aeroportit Heathrow, më i madhi i Europës.
Si pasojë aeroporti më i madh në Mbretërinë e Bashkuar do të mbyllet deri në mesnatën e së premtes, duke ndikuar me gjasë në qindra fluturime dhe mijëra pasagjerë.
“Për të ruajtur sigurinë e pasagjerëve dhe kolegëve tanë, Heathrow do të jetë i mbyllur deri në orën 23:59 të datës 21 mars,” tha një zëdhënës.
Ai theksoi se nuk dihet ende se kur energjia mund të rikthehet me siguri duke shtuar se stafi “po punon për të zgjidhur situatën”.
Zjarri në Hayes ka lënë gjithashtu mijëra shtëpi pa energji për shkak të zjarrit dhe ka bërë që rreth 150 njerëz të evakuohen nga pronat përreth.
Aeroporti i Heathrow reagoi në rrjetet sociale:
“Heathrow po përjeton një ndërprerje të konsiderueshme të energjisë në të gjithë aeroportin për shkak të një zjarri të madh në një nënstacion elektrik aty pranë. Ndërsa ekuipazhet e zjarrfikësve po i përgjigjen incidentit, ne nuk kemi qartësi se kur mund të rikthehet energjia.
Për të ruajtur sigurinë e pasagjerëve dhe kolegëve tanë, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të mbyllim Heathrow deri në orën 23:59 më 21 mars 2025. Ne presim ndërprerje të konsiderueshme gjatë ditëve në vijim dhe pasagjerët nuk duhet të udhëtojnë në aeroport në asnjë rrethanë derisa aeroporti të rihapet. Ne e dimë se kjo do të jetë zhgënjyese për pasagjerët dhe duam të sigurojmë se po punojmë sa më shumë që të jetë e mundur për të zgjidhur situatën.”
Në total, 120 avionë të cilët tashmë janë në ajër po devijohen ose rrotullohen, përveç fluturimeve që janë vonuar dhe anuluar si pasojë e incidentit.
Deri në 145 mijë udhëtarë mund të preken nga mbyllja, sipas firmës së të dhënave të aviacionit Cirium.